
FIER- Suzana Mërnica u plagos sot nga dy persona! Babë e bir, Afrim dhe Ali Cimili kanë qëlluar me armë zjarri drejt një motori që po lëvizte në fshatin Sulaj. Nga të shtënat u lëndua 46-vjeçarja, e cila aktualisht është në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Autorët janë shpallur në kërkim, ndërkohë që të dy, para një viti kishin pasur një konflikt me të lënduarën. Dyshohet se mes familjeve Mërnica dhe Cimili ka ndodhur një konflikt pronësie 6 muaj më parë.
Autorët dyshohet se kanë hapur zjarr në drejtim të motorit, ku Suzana Mernica po udhëtonte me djalin e saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Mbikalimi i Dërmenasit. Ndërsa pika kontrolli u ngritën në hyrje e daljet të qytetit të Fierit, për kapje të autorëve Afrim dhe Ali Cimili, të cilët u larguan nga vendngjarja.
Bëhet me dije se e plagosura dhe djali i saj janë të afërm të Azgan Mërnicës, autori i dyshuar i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, Novrus Cenalia.
Vrasja ndodhi në 13 Maj të vitit 2024 në fshatin Baltëz. Efektivi Cenalia kishte dalë nga shtëpia në fshatin Baltëz, ishte veshur me uniformë dhe po shkonte me makinë për të marrë detyrën kur në rrugicë ka parë Azgan Mërnicën që po ngiste makinën me shpejtësi dhe i ka tërhequr vëmendjen. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një plumb në kokë la të vdekur në vend efektivin./ZËRI