
TIRANË-Trupi i pajetë i palestinezes Rayyan Alwan, e vrarë brenda një shtëpie me qira nga babai i saj Fadi Alwan është tërhequr pak ditë më parë nga morgu nga familjarët e saj. Sipas raportimeve, trupi i saj u tërhoq nga një avokat dhe u dërgua në Liban e më pas në Gjermani.
Autori i vrajses, babai i 24-vjeçares, Fadi Alwan vijon të jetë në kërkim. Dyshimet janë se Rayyan Alwan mund të jetë vrarë pas një komploti të dy prindërve të saj. Kjo është pista e re ku po hetohet pas rrëfimit të miqve të 24-vjeçares.
Rayyan Alwan dhe Fadi Alwan mbërritën si turistë në Rinas më 19 shkurt. Po atë ditë dyshja kishin marrë banesën me qira ku edhe ndodhi krimi. Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes, Fadi Alwan është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.
49-vjeçari palestinez, dyshohet se fillimisht e ka dhunuar dhe më pas e ka vrarë me thikë, duke e mbuluar me një çarçaf. Dyshohet se ai ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares dhe është larguar në drejtim të Greqisë e më pas në Holandë, ndërsa dyshohet se fshihet në Liban. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e policive europiane për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar./ZËRI