
TIRANË- Rayyan Alwan mund të jetë vrarë pas një komploti të dy prindërve të saj. Kjo është pista e re ku po hetohet pas rrëfimit të miqve të 24-vjeçares, e cila u masakrua me thikë nga i ati në një shtëpi me qera, më 22 shkurt në Tiranë. Miqtë e 24-vjeçares palestineze kanë treguar për redaksinë e "Balkanweb", se 24-vjeçarja ishte divorcuar nga bashkëshorti, pasi ky i fundit abuzonte me të dhe e dhunonte. Dy fëmijët e saj, jetojnë me të atin pas divorcit, pasi mesa duket ky është një rregull në Liban.
Duke dashur që të takonte fëmijët e saj, ajo pranoi ofertën e të atit që të shkonte bashkë me të në Liban. Por, në momentin e fundit, e ëma e ka bindur që fillimisht të vijë në Shqipëri dhe më pas të ikë në Liban. Si duket, që në fillim, plani i tyre ka qenë që ta vrisnin të renë në Shqipëri. Pas krimit, nëna e Rayyan Alwan ka njoftuar miqtë e të resë se 24-vjeçarja kishte ndërruar jetë për shkak të një aksidenti automobilistik në Gjermani. Babai i 24-vjeçares Fadi Alwan është ende në kërkim. Pas krimit, ai është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, në drejtim të Greqisë e më pas në Holandë. Aktualisht dyshohet se fshihet në Liban.