Aktualitet

Tritoli në makinën e Mirash Gjikolës: Arrestohet 21-vjeçari, bashkëpunoi me dy të tjerët në kërkim (EMRI-VIDEO)

Policia bën me dije se gjatë operacionit, në banesën në Shëndëlli të Ignasjo Kasos, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me fishekë.

zh.ll
Tritoli në makinën e Mirash Gjikolës: Arrestohet
momenti i arrestimit

SARANDË- Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë Sarandë, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i dy autorëve të dyshuar, Griseld Taullajt dhe Xhafer Bajos, që i vunë tritol makinës së Mirash Gjikolës.

Policia bën me dije se gjatë operacionit, në banesën në Shëndëlli të Ignasjo Kasos, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me fishekë. Ndërkohë, vijonë kontrollet për kapjen dhe ndalimin e dy shtetasve në kërkim.

Ngjarja ndodhi më datë 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, në Konispol, ku lënda eksploziv ishte vendosur në automjetin e Mirash Gjikola, 57 vjeç. Sasia e lëndës eksploziv ishte vendosur në sediljen e pasme të mjetit dhe dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë. Gjikola konstatoi vetë tritolin. Policia, ekspertë të krimeve të rënda nga Policia e Vlorës dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s shkuan në vendngjarje duke bërë të mundur neutralizimin e lëndës.

Nga hetimet dyshohet se Taullaj dhe Bajo kanë vendosur një sasi lënde plasëse në automjetin që drejtohej nga 57-vjeçari, me qëllim vrasjen e tij.

Vetë Gjikola, rezulton një person me precedent penal, i dënuar më herët me 8 vite burg për tentativë vrasjeje. Në vitin 2012 Gjikola plagosi me armë zjarri brenda një lokali, Dedë Kovaçin. Sipas burimeve policore, Gjikola ishte zhvendosur prej kohësh nga Lezha dhe jetonte aktualisht në Shëndëlli, pranë Konispolit. 

Njoftimi i plotë:

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në tentativën për vrasje të një shtetasi duke i vendosur lëndë plasëse në automjetin që drejtonte, më datë 05.02.2026.

Si rezultat i hetimeve, u identifikua, u kap dhe u ndalua një 21-vjeçar i dyshuar si bashkëpunëtor i dy autorëve të dyshuar, të shpallur në kërkim më parë për këtë ngjarje.

Gjatë operacionit për kapjen e 21-vjeçarit, Policia gjeti në banesën e tij dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe intensive, të kryera për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në ngjarjen e mëngjesit të datës 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “Identifikimi”.

Gjatë operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi I. K., 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka nxjerrë urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

21-vjeçari akuzohet si bashkëpunëtor i shtetasve në kërkim G. T. dhe Xh. B., të cilët më datë 05.02.2026 kanë vendosur eksploziv në automjetin që drejtonte shtetasi M. Gj.

Më tej, gjatë operacionit u krye kontroll në banesën e të ndaluarit, ku u gjet një armë zjarri (pistoletë) me municion, e cila posedohej pa leje.

Vijojnë kontrollet për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e dy shtetasve në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB