
TIRANË-Sërish probleme me “Wizz Air”! Këtë herë fluturimi i 'Wizz Air' u pezullua për gati një orë e gjysmë pasi stafi akuzoi gabimisht pasagjerët për vjedhjen e telefonit të një roje sigurie.
Mediat britanike raportojnë se incidenti ndodhi më 25 prill në fluturimin 'W95004' të Wizz Air, nga Londra Luton për në Tiranë, Shqipëri. Për shkak të akuzës, pasagjerët u mbajtën brenda aeroplanit për 90 minuta dhe u thirr policia. Oficerët hynë në aeroplan për të gjetur celularin, madje duke provuar edhe thirrje telefonike. Vonesa u shkaktua nga pamjet e kamerave të sigurisë që dyshohet se tregonin një pasagjer duke marrë telefonin në aeroport.
Përpara nisjes së planifikuar, një anëtar i ekuipazhit njoftoi: E dimë që telefoni është në bord, tani duhet të nisemi pas dy minutash nuk mundemi për shkak të kësaj, ky është një problem sigurie. Duam t’i japim mundësi këtij personi për gabimin që bëri dhe ta sjellë vetë celularin përpara se ta identifikojmë nga kamerat.
Mirëpo pas më shumë se 1 orë vonese, policia dhe ekuipazhi njoftuan se celulari nuk ndodhej në aeroplan, siç pretendohej. Kërkimet nuk zbuluan asnjë send të vjedhur, teksa stafi i Wizz Air njoftoi fluturimi tashmë do të niste.
E kontaktuar nga ZËRI kompania e fluturimit ka konfirmuar skandalin, ku shprehet se u munduan të zgjidhnin situatën sa më shpejt dhe falenderon pasagjerët për durimin.
"Jemi në dijeni të incidentit që ndodhi në një fluturim të Wizz Air që nisej nga Aeroporti i Lutonit të premten, më 25 prill, i cili rezultoi me një vonesë të shkurtër të pasagjerëve. Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë është përparësia jonë kryesore dhe ne e vlerësojmë mirëkuptimin dhe durimin e të gjithëve, ndërsa ekipi ynë ndihmoi autoritetet në sigurimin e një zgjidhjeje të shpejtë të situatës,"-shprehet zëdhënësi i 'Wizz Air'.
Ky nuk është rsai i parë që pasagjerët e kompanisë “Wizz Air” përballen me incidente apo vonesa prej orësh të fluturimeve, e deri tek ato të anuluara./ZËRI