Aktualitet

Tjetër akuzë për kapon e ultrasve të Milanit, 'SKY ECC' zbulon bashkëpunëtorin e tij shqiptar

Sipas hetimeve, droga mbërrinte nga Spanja kryesisht me kamionë.

F.I
Tjetër akuzë për kapon e ultrasve të Milanit, 'SKY
Luca Lucci

ITALI-Policia në Milano ka arrestuar 19 persona si pjesë e një operacioni kundër tifozëve “ultra” të Milanit, shumica e të cilëve u akuzuan për lidhje me mafian. Udhëheqësi ultra i Milanit, Luca Lucci, i arrestuar tashmë, mori një tjetër urdhri arresti me burg, si pjesë e një hetimi të mëtejshëm ndaj trafikut të drogës. Ai akuzohet si kreu i një organizate të përqendruar në trafikimin ndërkombëtar të drogës, për të cilën rrezikon deri në 20 vite burg.

Media italiane 'Corriere della Serra' shkruan se së bashku me të, rolin e organizatorit e ndante me shqiptarin Fatjon Gjonaj, 32 vjeç, me bazë në Spanjë, i cili është ende në kërkim. Gjyqtari i çështjes Fabrizio Filice u shpreh se nga hetimet rezulton se Lucci në bashkëpunim me Gjonaj, jepnin udhëzime për anëtarët e bandës, shumë prej të cilëve janë pjesë e botës së tifozëve ultras milanistë, për të siguruar suksesin e aktiviteteve të paligjshme. 

Hetimi, i ndihmuar nga bisedat e dekoduara të aplikacionit SkyEcc, fokusohet në periudhën nga qershori 2020 deri në mars 2021. Në të dokumentohen dhjetëra importe të drogës me foto dhe detaje. Sipas hetimeve, droga mbërrinte nga Spanja kryesisht me kamionë. Ndërsa dërgesat më të vogla (15-20 kilogramë) organizoheshin drejtpërdrejt nga Lucci me 'korrierë të Amazon', duke fshehur pako droge mes dërgesave të tjera. Ndër projektet ishte dhe ai i transportit të drogës me helikopterë, duke eliminuar ndërmjetësit, si dhe shfrytëzimi i shoferëve të kamionëve që ishin tifozë të organizuar të Curva Sud.

Në hetim ka shumë emra të lidhur me tifozërinë e organizuar të Milanit. Duke filluar nga Daniele Cataldo, 52 vjeç, i arrestuar së fundmi si autor i tentativës për vrasje të Enzino Anghinelli në vitin 2019. Një krim i dështuar (viktima mbijetoi për mrekulli) i porositur pikërisht nga Lucci./ZËRI

Poll

MOS HUMB