Aktualitet

Mandati i Holta Zaçajt/ Kushtetuesja shtyn sërish seancën, kryetarja kërkon kohë

Shtyrja është bërë pasi Zaçaj ka kërkuar të njihej me vendimin e Gjykatës së Lartë. 

F.I
Mandati i Holta Zaçajt/ Kushtetuesja shtyn sërish seancën,
Holta Zaçaj

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish seancën për mandatin Holta Zaçajt, kryetare e këtij institucioni të drejtësisë. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 23 dhjetor, ndërsa mësohet se shtyrja është bërë pasi Zaçaj ka kërkuar të njihej me vendimin e Gjykatës së Lartë. 

Gjykata konstatoi se gjyqtarja Holta Zaçaj, në datën 16.12.2024, është njohur me praktikën dokumentare të dërguar nga Gjykata e Lartë, ndërsa përpara seancës së ditës së sotme ka depozituar një kërkesë me shkrim, përmes të cilës ka kërkuar dhënien e një kohe të mjaftueshme për të paraqitur opinionin e saj në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë sa i përket parimeve kushtetuese dhe mënyrës së interpretimit të dispozitave kushtetuese të zbatueshme në rastin në shqyrtim.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Gjykata, pasi vlerësoi shkaqet e kësaj kërkese, vendosi që ta pranojë atë, duke i lënë kohë, sipas kërkesës, deri ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 10:00, për paraqitjen e një opinioni me shkrim.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Kushtetuesja shtyn vendimin për në lidhje me përfundimin e mandatit të Kryetares Holta Zaçaj. Do të duhen 5 vota të gjyqtarëve, nga 8 që ka në organikë Gjykata Kushtetuese për të përfunduar mandatin e saj. E njëjta procedurë pritet të ndiqet edhe për dy mandate të tjera, Elsa Toskës, e cila u dorëhoq nga posti i saj, por edhe për Sonila Bejtjan. 

Disa ditë më parë (12 dhjetor) Zaçaj deklaroi kërkesën për ta përfunduar mandatin në Kushtetuese, pasi u përplas me Gjykatën e Lartë, duke pretenduar se mandati i mbaron në fund të vitit të ardhshëm dhe jo në mars, siç parashikohet në skemën e ripërtëritjes, mbi një datë që edhe vetë ajo kishte firmosur në momentin që aplikoi si kandidate në Kushtetuese. 

Më 10 dhjetor, Gjykata e Lartë, përmes kryetarit Sokol Sadushi, këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverën (më konkretisht në mars) të vitit 2025. Duke iu referuar kohës se kur duhet ta kishte përfunduar mandatin paraardhësja e Zaçajt, Vitore Tusha, Gjykata e Lartë njoftoi shpalljen e vakancës dhe çeljen e garës për vendin e të parës së Kushtetueses. Por pas njoftimit se mandati i mbaronte në mars të vitit që po vjen, reagoi Zaçaj, e cila arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ndaj në këto kushte u shpreh se ishte e gatshme që të kërkonte një mendim edhe nga Komisioni i Venecias mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB