DIVJAKË-Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Lulzim Muçën, i cili akuzohet për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Ngjarja ka ndodhur më 9 qershor 2025, rreth orës 15:30, në fshatin Çermë Sektor, ku Muça, 44 vjeç, plagosi me thikë 64-vjeçarin, Ferit Balliu pas një konflikti për motive të dobëta.
Sipas hetimeve, i pandehuri ka goditur Ferit Balliun katër herë me thikë në bark, duke i shkaktuar plagë të rënda që rrezikonin jetën. Debati fillimisht verbal me fyerje reciproke, përshkallëzoi në dhunë fizike, ku i pandehuri ka sulmuar fqinjin me mjet prerës.
I plagosuri ka marrë dëmtime serioze, të cilat, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit. Dosja tashmë i ka kaluar gjykatës, e cila do të vendosë për fajësinë dhe dënimin e 44-vjeçarit./ZËRI
