TIRANË-Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të pranojë gjykimin e shkurtuar për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe 5 të pandehur të tjerë në dosjen ku ata akuzohen për shkelje të barazisë në tendera.
Përfitues të procedurës së gjykimit të shkurtuar janë Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku dhe Rudin Gjoni. Ndërkohë, gjykata vendosi të ndajë çështjen për Premtim Dautin, i cili do të vijojë përballjen në proces të zakonshëm gjyqësor.
Në seancën e radhës, të planifikuar për më 14 shtator, prokurori i SPAK, Dritan Prençi, pritet të paraqesë konkluzionet përfundimtare për të pandehurit që kanë zgjedhur procedurën e shkurtuar.
Ndërkohë, mësohet se gjatë procesit, mbrojtja e të pandehurve kërkoi pushimin e çështjes duke iu referuar dispozitave të amnistisë penale. Sipas argumentit të paraqitur, ligji përfshin edhe vepra penale me dënim deri në 3 vite burg, të kryera brenda afatit të përcaktuar.
Nga ana tjetër, SPAK deklaroi se do të dorëzojë qëndrimin e tij me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa gjykata bëri të ditur se do të shprehet për këtë kërkesë në vendimin përfundimtar.
SPAK e mori të pandehur Benet Becin, bashkë me 6 persona të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Të pandehurit janë: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni.
Prokurori Dritan Preci e akuzon Becin në lidhje me një tender, gjatë kohës që ai drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH. Konkretisht Benet Beci akuzohet për aferën në një tender me vlerë deri në 700 mijë euro apo 700 milionë lekë. Afera e tenderit, u zbulua gjatë hetimeve dhe sekuestrimit të telefonit të ish-kreut të ARRSH-së Evis Berberit dhe bashkëshortes së tij.
Sipas njoftimit të SPAK, Beci akuzohet se ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik”, me vlerë 96.5 milion lekë. Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Berberit./ZËRI