HIMARË- Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen mbrëmjen e djeshme në bregdetin e Himarës, ku nga një jaht në det, përballë Palasës, ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së sinjalizimit rreth orës 21:00, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, Komisariati i Policisë Himarë dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë nisën ndjekjen e mjetit lundrues nga deti dhe toka.
Policia bën me dije se në bordin e jahtit dodheshin 4 persona, Leonard Hasa (31 vjeç), Bruno Cela (31 vjeç), Afrim Kastrati (49 vjeç) dhe Pashk Gjini (60 vjeç). Po ashtu, Policia njofton se gjatë kontrollit të ushtruar në jaht dhe ndaj personave në bord, nuk është gjetur asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Hetimet vijojnë për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në jaht, ndërsa personat që ndodheshin në bord kanë dhënë deklarimet e tyre. Në vijim priten edhe rezultatet e ekspertimeve që do të përcaktojnë rrethanat e qitjes.
Njoftimi i Policisë:
Himarë/ Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.