HIMARË- Një ngjarje jo fort e zakonshme u regjistrua mbrëmjen e së dielës në bregdetin e Palasës, ku ZËRI raportoi se nga një jaht që lundronte në det ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Pak më vonë, Policia e Shtetit konfirmoi zyrtarisht ngjarjen, duke bërë me dije se kishte nisur një operacion për ndalimin e mjetit lundrues dhe identifikimin e personave të përfshirë.
"Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.
Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.
Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin.", njoftoi policia.
Menjëherë pas sinjalizimit, Policia Kufitare, Njësia Policore Detare dhe forcat në terren nisën ndjekjen e jahtit, ndërsa u ushtruan kontrolle edhe përgjatë vijës bregdetare. Gjatë operacionit që zgjati gati 2 orë, dy persona që ndodheshin në bord u larguan me gomone drejt bregut, por u ndaluan nga efektivët sapo dolën në tokë.
Burime për ZËRI-n bënë me dije se të shoqëruarit janë Astrit Gjonpalaj, ish-punonjës policie dhe pronar i kompanisë "Globus Travel", si edhe Astrit Meta, shtetas shqiptaro-amerikan. Këta të fundit, dyshohet se kanë qenë në jaht në momentin kur janë dëgjuar të shtënat.
Po sipas burimeve, mjeti lundrues iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga forca të shumta policie, por ende nuk është bërë e ditur se çfarë është gjetur në bord. Mësohet se jahti fillimisht kishte marrë drejtimin drejt Greqisë, por më pas ndryshoi kurs, ndërsa në përpjekje për t'iu shmangur autoriteteve, fiku dritat dhe vijoi lundrimin në errësirë. Gjatë ndjekjes, njëri prej personave në bord u hodh në det, por u kap pak më vonë nga Policia Kufitare.
Ende nuk dihen motivet e të shtënave dhe as kush ka qëlluar me armë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndërkohë, Policia në njoftimin zyrtar, bën me dije se janë ndaluar 4 persona të cilët ndodheshin në bordin e jahtit. Megjithatë, sipas bluve, gjatë kontrollit të tyre dhe në bord nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm./ZËRI
