BULQIZË- Një konflikt i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Bulqizë ka lënë të plagosur tre persona, ndërsa policia ka shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të ngjarjes. Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur për motive të çastit dhe më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike mes disa personave.
Tre persona janë shoqëruar nga shërbimet e Policisë në Komisariatin e Policisë Bulqizë, ndërsa më pas konflikti u përshkallëzua jashtë një lokali mes familjarëve të tyre. Si pasojë e këtij konflikti kanë mbetur të plagosur 3 persona, Fluturim Tolle, 26-vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, Adhurim Koçi, 26-vjeç dhe Renaldo Dauti, 22-vjeç.
Ndërkohë policia po punon për kapjen e dy autorëve të dyshuar, Ylber Shkina dhe Jonuz Ceni, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi:
Bulqizë / Informacion paraprak
Më datë 10.03.2026, rreth orës 20:30, në qytetin e Bulqizës, dyshohet se, pas një konflikti të çastit, janë konfliktuar fizikisht shtetasit Q. B., A. T. dhe D. H., të cilët janë shoqëruar menjëherë nga shërbimet e Policisë në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Rreth orës 21:00, në ambientet e jashtme të një lokali, janë mbledhur familjarët e shtetasve të shoqëruar në komisariat, ku shtetasit J. C. dhe Y. Sh. janë konfliktuar fizikisht me shtetasit R. D., A. K. dhe R. T.
Si pasojë e këtij konflikti kanë mbetur të dëmtuar, dyshohet me mjete prerëse, shtetasit R. D., A. K. dhe R. T., të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar drejt Tiranës.
Shërbimet e Policisë po krehin zonën, me qëllim kapjen e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve J. C. dhe Y. Sh.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.