TIRANË- Studentët kanë dalë sot në protestë para Ministrisë së Arsimit, por me një skenar ndryshe nga ai çfarë jemi mësuar të shohim në protesta të kaluara, apo gjatë ditëve të fundit.
Studentët kanë zgjedhur të shprehin pakënaqësinë e tyre pa megafonë dhe pa fjalime të organizuara. Ajo që bie në sy në këtë protestë është pikërisht mungesa e zërave që zakonisht drejtojnë turmat përmes altoparlantëve.
Zemërimi i studentëve, këtë herë, është shfaqur përmes pranisë së tyre dhe thirrjeve. “Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” janë disa nga thirrjet që janë dëgjuar para ministrisë.
Këtë të martë, në orën 14:00, studentët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, në atë që nisi si një protestë e qetë. Situatë kjo që zgjati vetëm për rreth gjysmë orë, pasi më pas ia la vendin tensioneve dhe përplasjeve fizike.
Tensionet shpërthyen dhe situata u përshkallëzua pas hedhjes së gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të godinës, duke thyer xhamat e dritareve. Në një moment, disa rotestues kanë çarë kordonin e policisë dhe kanë shkulur kangjellat e rrethimit dhe hynë brenda perimetrit të godinës, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë.
Tashmë, prej disa orësh, që prej mesditës, studentët vijojnë rezistencën, por...pa megafonë, ata shpërndahen dhe mblidhen sërish në pikën ku nisi protesta.
Pa megafonë e pa fjalime, studentët kanë sjellë një tjetër imazh të protestës dhe po e shprehin pakënaqësine e tyre në rrugë të drejtëpërdrejtë, me prani, thirrje dhe rezistencë./ZËRI

