TIRANË- SPAK ka thirrur para 2 ditësh Reni Ashikun, i cili është marrë në pyetje rreth 3 orë për çështjen e abuzimit me fondet e IPARD të Bashkimit Europian. Hetimi i Olaf për shpërndarjen e fondeve të IPARD gjeti se Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural AZHBR kishte abuzuar dhe keqmenaxhuar mbi 33 milionë euro nga paratë e taksapaguesve të BE-së.
Ky skandal shtyu Komisionin Europian të ndërpresë financimin për Shqipërinë, pas konstatimit se Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka keqshpërndarë fondet e BE-së, duke lejuar kompani të caktuara të veprojnë si "sekserë" për të manipuluar aplikantët për grante.
"Aplikantët për IPARD II ishin të detyruar të paguanin një përqindje të madhe të grantit të tyre për kompanitë e konsulencës të ‘përzgjedhura paraprakisht’, të cilat më pas do të lehtësonin kontratat me Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë (AZHBR), e cila shpërndante fondet," thuhej në hetimin e OLAF.
Por kush është Reni Ashiku?
Reni Ashiku krijoi në vitin 2018 kompaninë e konsulencës në fushën e agrobiznesit të titulluar Converse Management Consulting, e cila rezulton edhe në QKB me një capital themeltar PREJ 100 000 00 milion lekësh. Kjo kompani ka qenë e përfshirë në projekte të IPARD. Reni Ashiku zotëron 51% të aksioneve në këtë kompani, ndërsa Besarta Dika 49% të aksioneve. Dika ka pasur lidhje të ngushta me politikën, pasi ka kandiduar për deputete nga partia G99 dhe ka lidhje biznesi me ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës.
Kjo kompani nga viti i themelimit deri në vitin 2021 ka arkëtuar gati 1 milionë euro. Ndërsa pas nisjes së hetimit nga OLAF për shpërndarjen e fondeve të IPARD, kompania pësoi rënie në fitim, duke nxitur dyshime për përfshirje të mundshme në abuzimet me fondet IPARD.
Ky rast ka bërë që Reni Ashiku të thirret për t’u pyetur nga SPAK, për të hedhur dritë mbi rolin e tij dhe të kompanisë në shpërndarjen e fondeve të Bashkimit Europian./ZËRI