Aktualitet

SPAK sekuestro 2 vilave të Monika dhe Fatime Kryemadhit tek Kodra e Diellit

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për të bllokuar dy rezidencat tek Kodra e Diellit është pranuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

k.m.
SPAK sekuestro 2 vilave të Monika dhe Fatime Kryemadhit tek Kodra e Diellit
Monika Kryemadhi

TIRANË- Dy vilat në pronësi të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhit janë vendosur nën sekuestro me urdhër të SPAK.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për të bllokuar dy rezidencat tek Kodra e Diellit është pranuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për 2 vila dy katëshe me verandë dhe kat përdhes, njëra në pronësi të deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe tjetra në emër të mamasë së saj Fatime Kryemadhi

"Vendimi i GJKKO-së u firmos më 15 nëntor 2024 dhe vjen në vijim të veprimeve hetimore në kuadër të dosjes së SPAK për hetimet lidhur lobimin në SHBA dhe dosjen CEZ DIA për të cilën Ilir Meta po hetohet në arrest me burg prej 21 tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi nën masën e sigurisë 'detyrim me paraqitje","-njofton SPAK.

NJOFTIMI I SPAK:

Me kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme vendos sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasve F.K dhe M.K. Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes vendimit nr.640 të datë 15 nëntor 2024, ka vendosur masën e sigurimit pasuror ‘Sekuestro preventive’ për dy prona në pronësi të shtetasve F.K dhe M.K. Kjo masë vjen si vijim i veprimeve hetimore dhe proceduriale në lidhje me procedimin penal nr. 122 të vitit 2022. (https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-21-10-2024-2/)

Pasuritë e sekuestruara janë:

1. Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;
kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë;
kati nëntokë 139 m2,
kati i parë 79 m2,
kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2 – në pronësi të shtetases F.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.

2. Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;
kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë,
kati nëntokë 139 m2,
kati i parë 79 m2,
kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të M.K.,
me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive.

Si Kryemadhi, ashtu edhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta; të dy, kanë të njëjtat akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA, por edhe shpenzime për blerje banesash dhe jo vetëm. Për Kryemadhin, SPAK ka zgjedhur masë më të butë sigurie, duke argumentuar gjendjen e saj shëndetësore. Ndërsa Meta, prej thuajse një muaji qëndron në ambientet e paraburgimit të burgut "313" në Tiranë./ZËRI

Poll

MOS HUMB