TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Ermes Hoxhallit, 20-vjeçari i cili akuzohet si organizatori i një skeme mashtrimi me bursat e studimit. Sipas organit të akuzës, 20-vjeçari ka mashtruar zyrtarë të ministrisë nëpërmjet falsifikimeve.
“Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1819, datë 11.03.2024, rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Ermes Hoxhalli pretendon se ka komunikuar për herë të parë me “Klean” në vitin 2021, pas një projekti që po zhvillohej në gjimnazin e Bilishtit. Më pas, pretendon se kontaktet i kishin vendosur në vitin 2023, pasi kishte menduar se “Klea” kishte kontakte të “forta” me qeverinë dhe ndaj kishte vendosur që të vazhdonte bisedën me të. Madje për ta bindur për lidhjet që kishte, 20-vjeçari pretendoi se Klea i kishte treguar edhe një video ku ministrja për Fëmijët dhe Rininë, Bora Muzhaqi e kishte uruar për ditëlindje. Shpjegimin se përse në telefonat e tij kishte programe për bashkim fotosh, formate certifikatash, logo të Departamentit të Shtetit, të Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, Hoxholli e dha para prokurorit të çështjes, por nuk bindi. Sipas tij, “Klea” e angazhonte për të përgatitur grafikisht certifikatat që shpërndaheshin në kuadër të projektit “Let’s talk about Us 2023-2024”.
PROKURORIA PRANE GJYKATES SE SHKALLES SE PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasin E.H. i cili premtonte bursa studimi falas dhe udhëtime në USA duke mashtruar zyrtarë të ministrisë nëpërmjet falsifikimeve. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin E.H. për veprën penale ‘Falsifikim kompjuterik’ dhe ‘Falsifikim i dokumentave’ të parashikuara nga nenet 186/a/1 dhe 186/2 të Kodit Penal, i hetuar me masë sigurimi, “Arrest në burg’.
Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1819, datë 11.03.2024, rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri. Duke pretenduar se udhëheq një projekt për të rinjtë nën logon, “Let’s talk together aboutUS’23 dhe 24” ai lëshoi edhe 19 çertifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë me temë “Projekti Let’s talk together about US’23”.
Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, shtetasi në fjalë pretendoi se ishte iniciator i projektit “Let’s talk together aboutUS’24” që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studenteve shqiptarë rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbështetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje Amerikane.
Dokumentat e falsifikuara si çertifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e kqyrura dhe të sekustruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit E.H në laptonin e tij dhe aparatët celularë. Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit [email protected] me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.
Nga pasqyrimi i fakteve si më sipër, u arrit në përfundimin se me veprimet e tij, i pandehuri E. H., ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprave penale të “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, të parashikuara nga nenet 186/a/1 dhe 186/2 i Kodit Penal./ZËRI