Aktualitet

Ishin me Klaudio Prendin para atentatit në Tiranë, nis hetimi për 4 punonjësit e Policisë

ZËRI ka mësuar se 3 prej tyre janë efektivë të Komisariatit nr.1 në Tiranë, ndërsa një tjetër ishte punonjës i Policisë Rrugore.

k.m.
Ishin me Klaudio Prendin para atentatit në Tiranë, nis hetimi për
Klaudio Prendi

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për 4 punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin në shoqërinë e Klaudio Prendit, vetëm pak para se ai të ekzekutohej. ZËRI ka mësuar se 3 prej tyre janë efektivë të Komisariatit nr.1 në Tiranë, ndërsa një tjetër ishte punonjës i Policisë Rrugore. Burime bëjnë me dije se AMP do të intervistojë oficerët e policisë dhe më pas do të konkludojë në një njoftim zyrtar.

Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së djeshme, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t'u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali.

Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital. Tashmë, nga zona kanë marrë kamerat e sigurisë dhe po punohet për të zbuluar se cilët janë personat që planifikuan dhe kryen atentatin. Pista e borxhit që ka zbuluar i ati i viktimës është vetëm një prej atyre që po hetohen./ZËRI

Poll

MOS HUMB