
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar zyrtarisht nisjen e hetimeve për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Për sa i përket aeroportit të Vlorës, SPAK dha detaje në regjistrin e pyetjeve të publikut dhe medias, ku përgjigjet për çështje të ndryshme dhe me interes të lartë që janë duke u vlerësuar. Në rastin e aeroporti të Vlorës, SPAK ka pranuar se ka nisur një procedim penal, por nuk jep më shumë detaje duke theksuar se për momentin janë ende në fazën e hetimeve.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën koncensionare të Aeroportit të Vlorës. Ky procedim është në fazën e hetimeve paraprake,”- ka njoftuar SPAK.
Zotërues i aeroportit është kompania e biznesmenit shqiptar të Kosovës, Behgjet Pacolli, e quajtur "Mabco Constructions". Sipas të dhënave të deklaruara në Qendrën Kombëtare të Binzesit, kompnia e Pacollit zotëron 98% të aksioneve, 2% i ka kompania 2A Group SH.P.K. Sipas dokumenteve të bëra publike gjatë shpalljes së parë të garës, qeveria shqiptare ka marrë përsipër që të garantojë riskun për fitimin e munguar të koncesionarit, duke i garantuar 138 milionë euro të ardhura për 10 vitet e para të operimit nga trafiku i pasagjerëve. Po në kontratë është vendosur që shteti të marrë 50 për qind të të ardhurave vetëm nëse tejkalohet skenari optimist.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës përfshin një investim 104 milionë euro dhe ka një sipërfaqe prej 309 hektarë.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila kishte 48 % të aksioneve, ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”. Por po në mars të atij viti shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.
Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro. Që nga nisja e ndërtimit, ka pasur reagime nga shoqatat që merren me mbrojtjen e mjedisit, pasi parashikohet që aeroporti të ndikojë negativisht tek fauna e lagunës së Nartës./ZËRI