
TIRANË-SPAK ka zhvilluar sot një operacion, ku është ndaluar avokati Bardh Koçi, i dyshuar për veprën penale ushtrim i ndikimit të paligjshëm. Për të GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi.
SPAK bën me dije se avokati Bardh Koçi kur ishte i punësuar si auditues i KLSH mori ryshfet nga një grua që ishte nën hetim. Avokati kërkoi 4 mijë euro ryshfet për të ndikuar në vendimin e gjyqtarit, që po shqyrtonte çështjen ndaj gruas. Për këtë të fundi GJKKO ka caktuar masën “detyrim paraqitje”. Shtetësja P.M. në vitin 2021 po gjykohej në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.
Në lidhje me rastin janë ushtruar kontrolle edhe në banesat e katër personave të tjerë, mes tyre atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
NJOFTIMI:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit P.M dhe B.K.
Shetetësja P.M., në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave shëndetësore”, e parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.
Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.
Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:
Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bashkëpunimin efektiv në hetimin dhe fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë për këtë procedim penal.
Avokati është arrestuar në vitin 2015, pasi u denoncua një biznesmen ndërtimi. Asokohe, Koçi kishte marrë 145 mijë euro nga biznesmeni, duke pretenduar se do t’i merrte leje dhe do ndërmjetësonte në të përfitonte hapësirën për ndërtim./ZËRI