
TIRANË-Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu. Veliaj ka ndarë një video ku sqaron një nga akuzat për korrpsion që rëndojnë ndaj tij. Bëhet fjalë për një leje ndërtimi për një banesë 1 katëshe në Yrshek, për të cilën SPAK akuzon edhe biznesmenin Shkëlqim Fusha. Kryebashkiaku sqaron se familja me kursime e borxhe, e ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria "Fusha". Firma, e cila ka aplikuar si kompani ndërtuese për llogari të gomistit, po hetohet se ka korruptuar Veliajn.
Pronari i banesës për ReportTv ka deklaruar se shtëpinë e ndërtoi me investimet e jetës, me borxhe tek të afërmit dhe kredi ende të pashlyera dhe se kryebashkiakun Veliaj nuk e ka takuar kurrë. Ndërsa për biznesmenin Shkëlqim Fusha e njeh personalisht pasi disa herë ka ndërruar gomat e makinës së tij në gomisterinë ku punon prej rreth 13 vitesh.
REAGIMI:
Shikojeni pak këtë video për të kuptuar se deri ku shkon fantazia e shfrenuar, prej prokurori ndërtues, e Ols Dados, i cili ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria "Fusha". Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqeri me licencat përkatëse. Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t'u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90m2.