Aktualitet

SPAK kërkon pushimin e hetimeve për gjyqtaren Irena Gjoka, çështja do të shqyrtohet më 21 prill

Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar Marinela Osmanin si gjyqtaren që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK. 

F.I
SPAK kërkon pushimin e hetimeve për gjyqtaren Irena Gjoka,
Irena Gjoka

TIRANË-Kërkesa e SPAK për pushimin e çështjes për gjyqtaren Irena Gjoken do të shqyrtohet në datën 21 prill në orën 10:00. Konkretisht SPAK ka kërkuar pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohej për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar Marinela Osmanin si gjyqtaren që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK. 

Sipas SPAK gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.

Sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë. Për pasojë, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale./ZËRI

Poll

MOS HUMB