
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar më shumë kohë për të hetuar ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja. Për shkak se pret përgjigje për disa letërporosi që i janë nisur agjencive partnere jashtë vendit, SPAK kërkon edhe 3 muaj më shumë kohë për të hetuar çështjen.
Kërkesa për shtyrje afatesh u bë në seancën e sotme, gjatë së cilës, edhe avokatët e Çyrbjas kërkuan gjithashtu kohë që të njihen me kërkesën e Prokurorisë. Vendimi do të jepet të premten, më 25 prill.
Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili dorëzoi mandatin disa ditë para se t'i vendoseshin prangat u arrestua me urdhër të SPAK mbrëmjen e 20 tetorit. Bashkë me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë./ZËRI