
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë në përfundimin se ka qenë Emiljano Shullazi personi që ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollani. Në dosje janë zbardhur bisedat e Shullazit.
“I pandehuri Emiljano Shullazi, në bashkëpunim me persona të tjerë, me veprimet e tij të kundraligjshme dhe të drejtëpërdrejta, të kryera me dashje gjatë katërmujorit të parë të vitit 2019, si dhe veprimtari e konkretizuar më datë 23.04.2019, 2021, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar prej tij ka goditur një pjesëtar të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila gjykonte një cështje penale ndër të tjera edhe në ngarkim të këtij të pandehuri. Ky i fundit, për këtë çështje gjyqësore, kishte kërkuar përjashtimin e kësaj gjyqtareje”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Ngjarje e rëndë ndodhi më 23 prill 2023 dhe sipas SPAK qëllimi ka qenë që gjyqtarja Saida Dollani të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit dhe 4 personave të tjerë që po zhvillohej në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Burri i gjyqtares denoncoi se u kërcënua me pistoletë në prill të vitit të kaluar, teksa gruaja ishte pjesë e trupës gjyqësore të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.
“…në një moment dola për të pirë një cigare nga një lokal ku isha me një mikun tim. Në atë moment kaloi gruaja ime me një shoqe dhe vajzën e saj, ndërsa pak minuta më pas erdhi një djalë i ri rreth 20-22 vjeç. Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë, më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë dhe mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të funksionit të bashkëshortes time si gjyqtare në gjykatën e Apelit për Krime të rënda…”-është shprehur mes të tjerash ai.
Saida Dollani u largua nga procesi gjyqësor i Shullazit, ndërsa për rastin e kërcënimit nisën hetimet në Prokurorinë e Tiranës, por 10 muaj më pas prokurorja Ida Ahmetlli kërkoi pushimin e hetimeve, ndërsa gjykata e kundërshtoi duke e rikthyer për vijimin e hetimeve.
Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda dhe në Apel me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobë vënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Pjesë e këtij grupi ishin Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja./ZËRI