
TIRANË- Janë zbardhur detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje mes bisedat mes anëtarëve të grupeve kriminale. Top Channel shkruan se në një komunikim përmes aplikacionit SKY ECC në 6 mars 2020, Emiljano Shullazi dhe Marklen Haka diskutojnë në lidhje me vrasjen e Durim Bamit.
“Ça duket do e kapin ata çunat atë qelbësirën? Hë pra thuaj shpejt. Lir Pajës i tham ne për Durim Banin, atëherë që folëm bashkë por ai s’ka takat e ka mendjen te malli,”- shkruan Shullazi.
Në komunikimet e zbardhura në dosjen e Prokurorisë, më datë 24 mars 202, Shullazi komunikon sërish me Marklen Hakën dhe dyshohet se diskutojnë në lidhje me lokalizimin e shtetasit Durim Bami: “Po ça nuk del fare në lagje ai plehra. Me ça makine del k…., po Valteri ça thot?”
Një tjetër komunikim mes tyre mban datën 20.04 2020, ku Shullazi e pyet Marklen Hakën për makinat që përdor Durim Bami. “Ai D me çfarë është duke lëviz, me atë Renxhin me targa italiane? Po me çfarë targash e mban? Me të rejat, sa e ka targën. Duhet me rujt edhe Bedriun. Me ca makine kishte ardh në Tiranë. Po blindin e mori atë Audin”?
Sot, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për 14 të pandehur, që akuzohen si pjesë e një grupi të strukuruar kriminal të përfshirë në atentate mafioze në vend. Konkretisht në gjyq janë dërguar Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, Naim Stafuka, Blerim Abazi, Besian Xhixha, Enver Diva, Robert Laçi, Leonard Duka, Drianto Bardhi, Gjergji Cukali, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Xhelal Rraja dhe Miri Bruli. Ata akuzohen për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale si tentativa për vrasjen e Durim dhe Valter Bamit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Preng Gjinit dhe ish-deputetit Arben Ndoka. SPAK ka mbyllur hetimet edhe për tentativën e vrasjes së Elvis Gacajt dhe Altin Gegës, si dhe Fatmir Hysenit dhe Armando Hysenit.