Aktualitet

SPAK: Dy kushërinjtë Kalosh dhe Gazment Peposhi blinin vota për PSD në fshatra të Kukësit

27-vjeçari, Kalosh Peposhi u arrestua në flagrancë mbrëmjen e 10 Majit, një ditë para zgjedhjeve.

F.I
SPAK: Dy kushërinjtë Kalosh dhe Gazment Peposhi blinin vota për
FOTO ILUSTRUESE

KUKËS-SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Kalosh Peposhit dhe shpalljen në kërkim të kushëririt të tij, Gazment Peposhi, të cilët akuzohen se blinin vota në favor të Partisë Social Demokratik në Kukës. Prokuroria e Posaçme njofton se nga hetimet rezulton se dy kushërinjtë u kanë premtuar shuma parash kundrejt votës banorëve të fshatit Ujmisht, Lusen, Matranxhë e Bushtricë të rrethit Kukës.

27-vjeçari, Kalosh Peposhi u arrestua në flagrancë mbrëmjen e 10 Majit, një ditë para zgjedhjeve. Gjatë arrestimit Peposhit iu sekuestrua shuma prej 205.500 lekë të reja, 525 euro, celulari dhe mjeti tip 'Mercedes Benz'. Në kërkim vijon të jetë ende kushëriri i tij Gazment Peposhi.

Në lidhje me rastin, një reagim erdhi edhe nga PSD, ku sipas tyre, Kalosh Pepoushi nuk është anëtar i forcës së tyre politike, por është kryetar i Partisë Socialiste në njësinë Ujmisht. Në të njëjtin reagim pretendojnë se qëllimi i këtyre arrestimeve është që të njollosin imazhin e PSD-së.

“Personi në fjalë, z. Gazmend Peposhi, nuk është dhe nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i PSD-së. Aktualisht, ai është kryetar i Partisë Socialiste në njësinë ‘Ujmisht’. Këto etiketime i bëjnë vetëm që të njollosin imazhin e PSD-së në Kukës, duke u përpjekur me çdo kusht t’i ulin frymën e fitores për ‘Korrupsionin aktiv në zgjedhje’. Nuk është anëtar i kësaj partie,”- thuhet në reagimin e PSD-së.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.83/2025 për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Procedimi penal u regjistrua mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës. Nga të dhënat e siguruara rezulton se një grup personash, përmes veprimeve aktive u kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare disa shtetasve në Qarkun Kukës, duke i kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik, pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Në datën 10.05.2025, në orën 22:00, gjatë një operacioni të SPAK dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P. Këtij shtetasi iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumat monetare; 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim është shpallur shtetasi G.P, me detyrë kryeplak i fshatit Lusen, Kukës dhe po punohet për kapjen e tij.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit G.P. dhe K.P. janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në njësinë administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik, Partia Social Demokrate (PSD), subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për Kuvendin 2025, duke kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të  Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale personat, të cilëve morën shumat monetare, në këmbim të votave të tyre për subjektin politik.

Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës për bashkëpunimin në kryerjen e hetimeve lidhur me këtë procedim penal./ZËRI

Poll

MOS HUMB