
KUKËS- Policia e Kukësit ka vendosur në pranga 27-vjeçarin Kalosh Peposhi, njëri nga dy kushërinjtë e shpallur në kërkim për blerje votash. Sipas njoftimit të Policisë, të riut dhe kushëririt të tij, Gazmend Peposhit i është gjetur me vete një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit në zgjedhje. Dyshohet se votat do të bliheshin në favor të Partisë SocialDemokrate.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kukës
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku u shpallën në kërkim dy shtetas për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, ju informojmë se; Nga strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve zgjedhore në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH dhe DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 27 vjeç, banues në fshatin Lusen, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë arrestimit, këtij shtetasi ju gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do ti përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje. Vijon puna për kapjen e shtetasit G. P. Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Pas arrestimit të Peposhit, ka ardhur edhe një reagim nga Partia Socialdemokrate. Sipas tyre, Pepoushi nuk është anëtar i forcës së tyre politike, por është kryetar i Partisë Socialiste në njësinë Ujmisht. Në të njëjtin reagim pretendojnë se qëllimi i këtyre arrestimeve është që të njollosin imazhin e PSD-së.
“Personi në fjalë, z. Gazmend Peposhi, nuk është dhe nuk ka qenë ndonjëherë anëtar i PSD-së. Aktualisht, ai është kryetar i Partisë Socialiste në njësinë ‘Ujmisht’. Këto etiketime i bëjnë vetëm që të njollosin imazhin e PSD-së në Kukës, duke u përpjekur me çdo kusht t’i ulin frymën e fitores për ‘Korrupsionin aktiv në zgjedhje’. Nuk është anëtar i kësaj partie,”- thuhet në reagimin e PSD-së./ZËRI