
TIRANË-Është shtyrë edhe një herë seanca gjyqësore në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen “Metamorfoza”, të pandehurit e së cilës janë Pëllumb Gjoka, Behar Bajri, Edmond Preka, Asmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltion Bistri dhe Xhevahir Lita.
Bëhet me dije se shkak u bë zëvendësimi i avokatit të Edmond Prekës që kërkoi kohë të njihej me dosjen. Ndërkohë, seanca e radhës ku pritet te lexohet edhe pretenca e prokurorisë, do të mbahet më datë 26 qershor ora 8:30.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për një pjesë të anëtarëve të dosjes Metamorfoza, ku personat e dyshuar janë arrestuar pas bisedave në aplikacionet e koduara.
Pëllumb Gjoka, akuzohet për akuzohet për ‘Vrasje me paramendim’ të Gjin Ndoj (Boriçi), në 9 gusht të vitit 2020 në qytetin e Shkodrës, kryer në bashkëpunim atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Behar Bajri, akuzohet për vrasje si edhe për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje në dëm të Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Ndërkohë ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj, akuzohet për sigurim i kushteve për vrasje të Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Ish-Shefi i Operacionales Oltion Bistri akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’./ZËRI