TIRANË-Këtë të shtunën, në orën 19:00 do të mbahet në Tiranë protesta e 28-të e qytetarëve, kundër ndërtimeve në Zvërnec dhe pakënaqësive politike. Tubimi do të nisë në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas qytetarët do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë.
Protesta pritet të shoqërohet me fjalime, pankarta dhe marshim në rrugët e kryeqytetit, ku sipas njoftimeve të bëra nga aktivistët e protestës, pjesë e tubimit të sotëm do të jenë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët e diasporës u bashkohen qytetarëve, ku në ditën 21-të protestës në kryeqytet mbërritën autokolona të shumta nga zona të ndryshme të vendit, si dhe nga diaspora. Prania e tyre solli reagime nga figura politike, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.
Qytetarët kanë parashtruar edhe kërkesat e tyre:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.