Aktualitet

SKANDALI me ujin e ndotur dhe me erë! Krimi Ekonomik nis hetimet, zyrtarët në SPAK (AKUZAT)

Krimi Ekonomik ka nisur një hetim në terren, ku po shqyrtohet çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit.

F.I
SKANDALI me ujin e ndotur dhe me erë! Krimi Ekonomik nis hetimet,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Pas një situate alarmane për banorët e zonës së Komunës së Parisit në Tiranë me ujin e ndotur, Krimi Ekonomik ka nisur një hetim në terren, ku po shqyrtohet çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit. Në pyetje është marrë Dorjan Korbeci, me detyrë Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes, i cili ka sqaruar se, në rrugën “Shaban Karaj”, si pasojë e amortizimit, është dëmtuar linja e furnizimit me ujë, duke sjellë si pasojë furnizim me turbullira.

Krimi Ekonomik Tiranë : Sot, më datë 11.04.2025, pas informacioneve të marra nga burime të hapura (rrjetet sociale) lidhur me një problematikë të ndotjes së ujit në disa zona të qytetit të Tiranës, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar janë kryer veprime hetimore dhe procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave. Në vijim të sa më sipër, është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, nga ku dyshohet se ka ndodhur çarja e tubacionit të nëndheshëm të ujit. Gjithashtu, i është marrë deklarim si person që ka dijeni shtetasit Dorjan Korbeci, me detyrë Drejtor i Departamentit të Prodhimit dhe Shpërndarjes, i cili ka sqaruar se, në rrugën “Shaban Karaj”, si pasojë e amortizimit, është dëmtuar linja e furnizimit me ujë, duke sjellë si pasojë furnizim me turbullira.

Përpos hetimit të nisur nga Krimi Ekonomik, pritet që ngjarja të ndiqet edhe nga SPAK pas kallëzimit të bërë ndaj Skerdi Drenovës kreu UKT dhe Drejtueses së Komanduar në Bashkinë Tiranë Anuela Ristani. 

Denoncimi në Prokurorinë e Posaçme u b⌂ nga gazetari Arsen Rusta, i cili ka kallëzuar kreun e UjësjellësKanalizime Tiranë si dhe kryetaren e komanduar të Bashkisë së Tiranës. Veprat penale për të cilën janë kallëzuar janë: shpërdorim detyre, ndotje e ujit, krim kundër njerzimit dhe vepra të kryera në bashkëpunim.

"Kreu i UKT- Kreu i Komanduar i Bashkise Tirane. U Kallezuan Penalisht ne SPAK PER SHPERDORIM DETYRE NDOTJE TE UJIT E TOKES SI DHE KRIM KUNDER NJERZIMIT kryer ne Bashkepunim. Kjo qe i keni bere sot Tiranes dhe Banoreve te njesis 5 e KRIMINALE. Ne sdo ju Kap ligji, zoti sdo jua fal VRASESA,"-shkruan gazetari krahas fotos së kallëzimit.

Çfarë ka ndodhur?

Një situatë shqetësuese u denoncua një ditë më parë (10 prill) nga banorët e zonës së Komunës së Parisit në Tiranë. Qytetarët raportuan se për disa orë nuk kanë pasur ujë të pijshëm, ndërsa theksonin se pasi furnizimi erdhi, uji ishte i ndotur dhe me një erë të rëndë. Në lidhje me situatën në një bisedë telefonike me ZËRI-n, një nga punonjëset e UKT-së, u shpreh se ka pasur një çarje të tubit përçues, i cili është mbushur me dhe. Duke iu referuar dhe analizave që pretendojnë se kanë bërë, UKT thekson se nuk ka fekale në ujë, por vetëm dhe.

Në një njoftim në rrjete sociale, Ujësjellësi Lanabregas - Depo Partitar, raportoi se të gjithë turbullirat janë pastruar. UKT bën me dije se qarkullimi i ujit për të gjitha zonat e prekura do të vijojë normalisht. UKT lajmëroi më herët se për shkak të punimeve në linjën DN-700 mm (Lanabregas - Depo Partitar), u shkaktuan probleme me furnizimin me ujë tek Tirana e Re dhe Komuna e Parisit. Por situata mund të ishte parandaluar nëse banorët do të ishin njoftuar më herët në lidhje me punimet./ZËRI

Poll

MOS HUMB