DURRËS- Një skandal mjedisor është konstatuar në Gjirin e Lalzit, në zonën e Hamallajt në Durrës, ku uji në një segment të vijës bregdetare është shfaqur me ngjyrë të errët. Pamjet e shpërndara gjerësisht në rrjete sociale, kanë ngritur dyshime për ndotje dhe derdhje të ujërave të zeza në det.
Megjithatë, lidhur me këtë situatë ka reaguar Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD), e cila mohon që në zonë të jenë shkarkuar ujëra të zeza.
Përmes një reagimi publik, UKD pretendon se gjatë verifikimeve në terren është konstatuar se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga balta, llumrat dhe sedimentet e akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.
Sipas reagimit, rezidencat në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve dhe ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku trajtohen përpara shkarkimit në det.
Reagimi i plotë u UKD:
Mbi problematikën e grykëderdhjes së kanalit në Hidrovorin Hamallaj
Në orët e mëngjesit, në zonën e plazhit të Hidrovorit Hamallaj, është konstatuar një ngjyrë e errët e ujit në një segment të vijës bregdetare. Hidrovori Hamallaj, i pozicionuar rreth 1 km larg vijës bregdetare, gjatë periudhës së verifikimit ka qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit. Nga verifikimet e kryera në terren nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) rezulton se ngjyrosja e errët e ujit është shkaktuar nga baltë, llumra dhe sedimente të akumuluara në kanal, të cilat janë përzier dhe transportuar drejt vijës bregdetare si pasojë e lëvizjes së ujit nga baticat dhe zbaticat.
Gjatë ditëve të fundit, erërat e forta dhe dallgëzimi i shtuar kanë rritur forcën e dallgëve, duke mundësuar depërtimin e ujit në brendësi të kanalit. Si pasojë, sedimentet e akumuluara janë trazuar dhe transportuar drejt detit, duke krijuar një përqendrim të sedimenteve në pezulli, të cilat kanë shkaktuar ngjyrosjen e errët të ujit.
SHRUKD sqaron se nga verifikimet e kryera në terren nuk është konstatuar prani e ujërave të zeza në zonën e evidentuar.
Rezidencat që shtrihen në këtë zonë janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve, përmes të cilit ujërat e ndotura përcillen drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz, ku i nënshtrohen procesit të trajtimit përpara shkarkimit në det.
Theksojmë se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura Lalëz është në funksionim 24 orë në 24, duke garantuar trajtimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura të përcjella në impiant.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës vijon monitorimin e situatës dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe garantimin e kushteve të përshtatshme në zonën bregdetare.
Ndërkohë, ZËRI i është drejtuar Bashkisë së Durrësit me një kërkesë për informacion këtij institucioni vendor, për të mësuar se cili është qëndrimi i Bashkisë dhe nëse do të merren masa për situatën e krijuar. Deri në publikimin e këtij lajmi, Bashkia e Durrësit nuk ka dhënë ende një reagim./ZËRI
