Aktualitet

Kthyen magazinën në 'shtëpi bari', 7 në pranga, 3 prej tyre punonjës të OSHEE-së

Autorët kishin përshtatur një tunel, nga kati i parë në katin e dytë të magazinës, për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.

I.F
Kthyen magazinën në 'shtëpi bari', 7 në pranga, 3
Pamje nga vendngjarja

TIRANË- 7 persona janë arrestuar si “përgjegjës” për ndërtimin e një “shtëpie bari” në një nga zonat më të populluara të Tiranës. Madje në një institucion shtetëror. Laboratori i drogës me 150 bimë kanabisi dhe të gjithë mjetet e tjera të nevojshme për kultivimin e tyre u zbuluar një ditë më parë në zonën e Selitë, në një magazinë që ishte në pronësi të Kadastrës. Erlind dhe Reshit Tresa, Asqeri Likaj si dhe Elvis Lala janë arrestuar nën akuzën për kultivimin e kanabisit përmes llampave si dhe për vjedhje të energjisë.

Nga të 4 të lartpërmendurit, 28-vjeçari Erlind Tresa rezulton të jetë dënuar më herët në Gjermani për drogë. Ndërkohë që në pranga kanë rënë edhe 3 punonjës të OSHEE, Ervis Pashollari, Elton Cenaliu dhe Gëzim Gjonpali. Këta të fundit dyshohet se mund të kenë patur dijeni për aktivitetin kriminal por e kanë mbuluar laboratorin e drogës përmes manipulimit të faturave të energjisë elektrike. Nëse nuk do të kishin ndërhyrë, laboratori do të kishte “rënë në sy” për shkak të çmimit të faturimit. Por ka dyshime se këtë problem e kanë zgjidhur tre nga të arrestuarit.

Në kërkim është shpallur edhe një tjetër person si bashkëpunëtor i këtij grupi kriminal, i cili ëstë identifikuar si Saimir Karaj, ndërsa një 39-vjeçare është proceduar në gjendje të lirë, pasi dyshohet se edhe pse kishte dijeni për laboratorin e drogës, por nuk e raportoi në Polici.

AKSIONI ME VIDEO:

NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Tuneli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve. Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, në një objekt ku kishte lidhje të paligjshme elektrike. Arrestohen 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës të OSHEE-së. Shpallet në kërkim një tjetër dhe procedohet penalisht një 39-vjeçare, për moskallëzim krimi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tuneli”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: – E. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, i dënuar më parë në Gjermani për kultivim bimësh narkotike; – Sh. T., 57 vjeç, A. L., 59 vjeç, E. L., 26 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim; – E. P., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i grupit të monitorimit të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; – E. C., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë elektriçist pranë OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; – G. Gj., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja H. D., 39 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Po në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” kryer në bashkëpunim, shtetasi S. K., 46 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasit E. T., Sh. T., A. L., E. L., dhe S. K., në një magazinë në rrugën “Hamdi Pepa” kishin përshtatur një tunel, nga kati i parë në katin e dytë të magazinës, për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Punonjësit e OSHEE, nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në këtë ambient, në zonën që ata kishin në monitorim, ndërsa shtetasja H. D., ka pasur dijeni për këtë veprimtari kriminale dhe nuk ka kallëzuar pranë organeve kompetente. Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Denocimin e bëri ish-deputeti i Partisë Demokratike (tashmë anëtar i Këshillit bashkiak të Partisë Socialiste) Halit Valteri. Ky i fundit sapo kishte marrë një detyrë të re në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe kishte shkuar për inspektim. Por kishte pikasur mjete që zakonisht përdoren për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura. Në këtë moment i ka dhënë sinjalin ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Kështu u vu në lëvizje Policia për kapjen e laboratorit. Ndërkohë që Kadastra reagoi dje dhe deklaroi se nuk kishin lidhje me aktivitetin që po ushtrohej brenda godinës që kanë nën administrim.

Gjatë operacionit ‘Tuneli’, u gjetën dhe sekuestruan 193 bimë kanabis të kultivuara në vazo (183 prej tyre janë asgjësuar me anë të djegies ndërsa 10 janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme), 100 bimë të thara të futura nëpër thasë, llamba elektrike, ventilatorë, tuba plastikë, pajisje aspirimi, filtra, bobina dhe sende të tjera që shërbejnë për kultivim bimësh narkotike me anë të llambave./ZËRI

Poll

MOS HUMB