
TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i antidrogës së policisë në një magazinë në zonën e Selitës në Tiranë. Mësohet se Policia është informuar nga ish-deputeti socialist Halit Valteri, se një magazinë në rrugën “Hamdi Pepo” prodhoheshin lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Valteri, i cili është punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, kishte shkuar për inspektim në godinat e kësaj zone dhe më pas ka lajmëruar drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Pas njoftimit, Proda ka dërguar në vendngjarje komisariatin nr. 2 ku më pas zbuluan se në katin e dytë të kësaj godine që ishte dnërtuar gjatë kohës së regjimit komunist, kultivoheshin lëndë narkotike.
"Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.
Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat.
Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast", njofton policia.
Policia sekuestroi 105 bimë narkotike kanabis sativa dhe ka arrestuar disa persona në lidhje me këtë aktivitet kriminal. Operacioni i policisë nisi në orët e vona të natë, ndërsa policia ende nuk ka dhënë detaje të detajuara për numrin e të arrestuarve ose identitetin e tyre. Mësohet se godina, mbikqyrej gjatë gjithë kohës me roje. /ZËRI