TIRANË-Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani me anë të një postimi të fundit në rrjete sociale ka denoncuar aktin e dhunës në Zvërnec, ku një qytetar u mor zvarrë nga punonjës të kompanisë private "Major Security", teksa po protestonte kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit në Vlorë, i cili po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.
Manjani shprehet se plazhi është pronë publike e patjetërsueshme dhe akush nuk mund të ndalojë njerëzit të kalojnë lirisht në plazhet e Republikës së Shqipërisë. Ish-ministri sqaron se ndërtimet në brendësi janë pronë private që duhen mbrojtur dhe respektuar, por plazhi është publik. Manjani thekson se akti i marrjes zvarrë të një qytetari pse donte të kalonte në plazhin publik është banditizëm dhe shprehet se Policia e Shtetit duhet të arrestonte rojet privatë të kompanisë 'Major Security' dhe jo thjesht të procedoheshin penalisht.
REAGIMI:
Asnjë ligj apo nënligj i shkruar nuk ndalon kalimin e njerëzve në plazh.
Plazhi është pronë publike e patjetërsueshme. Pra nuk bëhet private. Ndërtimet në brendësi janë pronë private që duhen mbrojtur respektuar. Por plazhi është publik dhe pikë!
Asnjë roje, polic, kadi apo ç'të jetë nuk mund të ndalojë njerëzit të kalojnë e të plazhiten lirisht në plazhet e Republikës së Shqipërisë. Kjo është e padiskutueshme!
Akti i marrjes zvarrë të një qytetari pse donte të kalonte në plazhin publik është banditizëm. E dënueshme nga çdo ligj penal në vend.
Policia e Shtetit duhet ti arrestonte në flagrancë banditet privatë dhe jo të mjaftohej me "proçedimin penal".
Investimi privat duhet mbrojtur, pa asnjë dyshim. Por marrja me dhunë e hapësirës publike dhe për këtë shkak dhuna ndaj qytetarëve të lirë është e dënueshme. Policia e shtetit duhet të ruajë publiken dhe publikun në këto kushte.
Është marrë zvarrë secili prej nesh nga ato banditë privatë, në atë skenë makabre.
