ATHINË- Një e kaluar kriminale për trafik droge dhe një shpërthim që plagosi dy policë kanë vënë në qendër të hetimeve të autoriteteve greke një shtetas shqiptar i cili banon me qira në pallatin pranë vendit ku ndodhi ngjarja në zonën e Kolonos në Athinë.
Sipas mediave greke shqiptari është identifikuar si i dyshuari kryesor dhe po merret në pyetje për të sqaruar përfshirjen e mundshme në vendosjen e çantës me pajisjen shpërthyese. Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që çanta të jetë lënë nga një person tjetër.
Një prej pistave që po verifikohet lidhet me lëvizjet e tij pas shpërthimit. Sipas raportimeve ai dyshohet se ka dalë nga banesa pasi dëgjoi zhurmën dhe më pas është kthyer për të marrë disa sende përpara se të largohej. Megjithatë gjatë marrjes në pyetj ai ka deklaruar se nuk ndodhej në vendngjarje në momentin e shpërthimit.
Të dhënat e së kaluarës së tij janë pjesë e verifikimeve të policisë. Mediat greke raportojnë se shqiptari ishte arrestuar në vitin 2008 për posedim të 100 gramëve kokainë dhe ishte liruar nga burgu në shtator të vitit të kaluar, pasi kishte vuajtur dënimin.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu lidhjet e mundshme të tij me një tjetër shtetas shqiptar që ndodhet në burg. Deri më tani dyshimet ndaj tij mbeten objekt hetimi dhe autoritetet po punojnë për të përcaktuar se kush e vendosi çantën dhe në çfarë rrethanash shpërtheu pajisja./ZËRI