TIRANË- Protestuesit po vijojnë të qëndrojnë para Kryeministrisë, ku pas disa orësh qetësie, janë rikthyer tensionet. Protestuesit hedhën kapsollë dhe gurë në drejtim të policisë, ndërsa këta të fundit u përgjigjën me ujë për t'i shpërndarë.
Pas largimit të përkohshëm nga perimetri i Kryeministrisë, protestuesit janë rikthyer sërish në zonë, duke vijuar tubimin.
Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje protestuesve përmes megafonit, që të ruajnë qetësinë. Policia u bën thirrje qytetarëve që të largojnë fëmijët nga zona e protestës, duke kërkuar ndërprerjen e veprimeve të dhunshme ndaj institucioneve.
“Qytetarë, largoni fëmijët nga rruga! Ndaloni veprimet e dhunshme ndaj institucioneve”, është apeli i përcjellë nga efektivët e policisë.
Këtë të enjte, protesta ka nisur që në orën 09:00 përpara Parlamentit, ku një orë më pas nisi seanca plenare e cila u pasua me tensione dhe debate. Protestës së studentëve, tashmë prej 3 ditësh, i janë bashkuar edhe pedagagoët të cilët marshuan sot drjt Kuvendit. /ZËRI