TIRANË- Partia Popullore Evropiane (PPE) ka reaguar për protestat studentore dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e së drejtës për tubime paqësore sundimin e ligjit dhe garantimin e standardeve demokratike.
Në reagimin e saj PPE thekson se zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe se qytetarëve duhet t’u garantohet e drejta për të protestuar paqësisht. Njëkohësisht ajo nënvizon se dhuna, sulmet ndaj pronës dhe cenimi i integritetit personal nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, pavarësisht se nga cila palë vijnë.
PPE kërkon gjithashtu që çdo pretendim për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga organet ligjzbatuese të hetohet në mënyrë të plotë të menjëhershme dhe të pavarur, ndërsa policia duhet të veprojë në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
Në deklaratë partia evropiane thekson se tensionet duhet të kapërcehen përmes dialogut dhe angazhimit demokratik. Ajo e lidh të ardhmen e Shqipërisë me forcimin e institucioneve të përgjegjshme, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e mundësive për të rinjtë brenda vendit.
“Zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe e drejta e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore duhet të mbrohet”, thuhet në reagimin e PPE-së.

./ZËRI