LEZHË- Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Markatomaj të Lezhës, ku shpërthimi i një bombole gazi në një banesë dykatëshe dyshohet se ka sjellë lëndimin e gjashtë pjesëtarëve të familjes Kola.
Policia njofton se pesë prej të dëmtuarve, mes tyre edhe dy fëmijë, janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa kryefamiljari, Saimir Kola, është transportuar me urgjencë drejt Tiranës, për mjekim të specializuar.
NJOFTIMI I POLICISË:
“Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia.
View this post on Instagram
Familja, e cila jeton prej vitesh në Itali, kishte ardhur në Shqipëri për pushime dhe për një dasmë familjare.
Sipas dëshmisë së një të afërmi të familjes, kryefamiljari Saimir Kola do të merrte pjesë në dasmën e vajzës së vëllait të tij ditën e sotme, por aksidenti i papritur ka ndërprerë përgatitjet festive për ceremoninë martesore.
I afërmi ka treguar gjithashtu se bombola e gazit, e cila dyshohet se shkaktoi shpërthimin, ndodhej jashtë banesës.
“Jetonin në Itali. Kanë ardhur për pushime. Kishin një dasmë, kishin dasmën e vajzës së vëllait. Mendova se ishte ndonjë gomë e makinave të tonazhit të lartë, por një shok më mori e më tha se ishte dëmtuar Saimiri. Ka shpërthyer një bombol. Bombola ka qenë jashtë. Në këtë banesë nuk jetonte askush, vetëm ata kur vinin me pushime”, deklaroi i afërmi i familjes.
Nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme materiale në banesën dykatëshe./ZËRI