LEZHË- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar paraditen e sotme në zonën e Kunes në Shëngjin, ku ka mbetur i plagosur një person. Ngjarja ka ndodhur në një lokal, në rrugën e Kunes, ku pas një konflikti të momentit mes një grupi të rinjsh dhe menaxherit, situata është përshkallëzuar me nxjerrjen e armëve.
Sipas burimeve, të rinjtë kane debatuar fillimisht me menaxherin, ndërsa shkaqet nuk janë bërë ende të qarta. Më pas konflikti ka vijuar me përleshje fizike, teksa situata ka dalë jashtë kontrollit kur njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në këmbë menaxherin Kristian Gjoni, rreth 30-vjeç.
Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka identifikuar autorin dhe ka nisur kërkimet për lokalizimin dhe shoqërimin e tij, ndërsa po kryhen veprime intensive hetimor./ZËRI