TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar shpërblimin financiar për 2 750 punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestave.
Sipas vendimit çdo efektiv përfitues do të marrë 269 120 lekë, ndërsa fondi i përgjithshëm prej 740 milionë e 80 mijë lekësh do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përcaktojë listën e përfituesve dhe do të ndjekë procedurat për dhënien e shpërblimit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Njoftimi i Qeverisë:
Vendim për dhënie shpërblimi punonjësve të policisë së shtetit dhe për një shtesë në buxhetin e ministrisë së punëve të brendshme, miratuar për vitin 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Dhënie shpërblimi financiar në masën prej 269 120 (dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet) lekësh për 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) punonjës të Policisë së Shtetit për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike.
2. Në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zërin “Shpenzime korrente” të programit buxhetor “Policia e Shtetit”, shtohet fondi prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh.
3. Efekti financiar, në shumën prej 740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekësh, që rrjedh nga zbatimi i këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2026.
4. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit përcakton listën emërore të punonjësve të policisë përfitues bazuar në dokumentacionin justifikues dhe kryen procedurat për dhënien e shpërblimit.
5. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ZËRI