
TIRANË- Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas hyrjes së efektivëve të Policisë në oborrin e Katedrales 'Ngjallja e Krishtit' në Tiranë, ku u tentua shoqërimi i protestuesve.
Përmes një deklarate Kisha shpreh shqetësimin për ngjarjen dhe kërkon respektimin e vendeve të shenjta, duke theksuar se ato janë hapësira lutjeje dhe paqeje jo konflikti. Gjithashtu, bën thirrje për distancim nga dhuna dhe për gjetjen e rrugëve të dialogut.
Reagimi:
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut./ZËRI