
DURRËS- Policia e Durrësit ka konfirmuar lajmin e "ZËRI-t" lidhur me kompaninë "BanaKing". ZËRI raportoi paraditen e sotme se një punonjës i kompanisë, A.G., 48-vjeç, ka humbur shikimin në njërin sy për shkak se ishte dëmtuar teksa ishte duke hapur arkat e bananeve në kontenierin e "BanaKing". Edhe pse është dërguar në spital, e ka humbur shikimin. Për ngjarjen e ndodhur më 18 shkurt, Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim 56-vjeçarin, T.M., i cili në QKR rezulton Trifon Murataj, i cili akuzohet për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
NJOFTIMI I PLOTË:
Durrës
Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për dëmtimin e një shtetasi në vendin e punës, bëjmë me dije se: Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës. Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës. Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025. Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi T. F., 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Vijon puna për kapjen e tij.
Si ndodhi ngjarja?
Incidenti ka ndodhur teksa punonjësi ishte duke hapur arkat e bananeve në kontenier dhe në një moment bisturia i ka shkarë nga dora dhe e ka dëmtuar në sy. Edhe pse është dërguar me urgjencë në spital, punëtori e ka humbur shikimin në njërin sy. Kompania ka marrë gjobë të lartë nga inspektoriati i punës, për shkak se punonjësi ishte punësuar pa dokumentin përkatës. Punonjësi nuk kishte nënshkruar një kontratë ku njihej me risqet në punë dhe kjo ka sjellë gjobitjen e Bana King. ZËRI ka tentuar që të kontaktojë me kompaninë, por ka qenë e pamundur. Edhe tani, që ka një njoftim nga Policia e Durrësit, ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga ana e Kompanisë. Aktualisht punonjësi ndodhet te spitali Francez në kryeqytet ku po merr ndihmën e parë nga mjekët./ZËRI