
TIRANË-Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen tek “Asllan Rusi”, ku ditën e djeshme pati një përleshje mes disa të miturve. Konflikti ndodhi pas një ndeshje basketbolli, ku si pasojë të plagosur mbetën dy të mitur 10 dhe 14 vjeç. Ndërkohë janë proceduar penalisht 3 shtetas të mitur të moshave 14, 14 dhe 15 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerëse, lëndë piroteknike (flakadanë dhe fishekzjarrë) dhe një shkop.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht 3 shtetas të mitur të moshave 14, 14 dhe 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, në afërsi të pallatit të sportit "Asllan Rusi", janë konfliktuar, dyshohet me sende të forta, me disa bashkëmoshatarë të tyre. Si pasojë janë dëmtuar dy të mitur të moshave 10 dhe 14 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerëse, lëndë piroteknike (flakadanë dhe fishekzjarrë) dhe një send i fortë (shkop)./ZËRI