
BULQIZË- Një incident i rëndë ka ndodhur në Klos, ku është shembur masivi një minerali. Masivi i kromit ka marrë me vete një fadromë dhe ka zënë poshtë edhe drejtuesin e mjetit, për të cilin ende po punohet që të nxirret nga shërbimet e Policisë dhe Urgjenca. Ndërkohë mësohet se fabrika në të cilën përpunohej kromi ishte marrë me qira dy shtetas kinezë. Para se të ndodhte incidenti, fadromisti po bënte gërryerje për hapjen e një rezervuari të ri. Ai ishte i punësuar nga kompania kineze që kishte në aktivitet me qira fabrikën e pasurimit të mineralit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Klos / Informacion paraprak
Rreth orës 14:00, në qafën e Burrelit, në fabrikën e pasurimit të kromit, e marrë me qira nga një shoqëri kineze, shtetasi A.B., teksa po punonte me një automjet fadromë për gërryerjen e një rezervuari, dyshohet se është shembur një masiv dheu dhe, për pasojë, ka zënë poshtë punëtorin bashkë me mjetin e punës. Shërbimet e Policisë dhe ato të ekipit të urgjencës po punojnë për gjetjen e shtetasit A.B. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje./ZËRI