VLORË- Kryeministri Edi Rama lajmëroi dje vendosjen në sekuestro të një pallati që ishte në proces ndërtimi pa leje në Vlorë. Nga të dhënat që janë mësuar deri më tani pallati po ndërtohej nga Erjon Amataj, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Urban në Bashkinë e Vlorës, kur kryetar bashkie ishte Dritan Leli. Amataj është lakuar për problememe lejet e ndërtimit në Vlorë, madje është marrë edhe i pandehur nga Prokuroria e Vlorës për leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin pas një denoncimi të bërë nga Egon Velaj.
Ndërkohë sot, Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar për pallatin në të cilin zbarkoi ditën e djeshme IKMT-ja dhe vendosi që të konfiskohej për t'i kaluar shtetit. Blutë e Vlorës bëjnë me dije se kanë nisur hetimet për investitorin dhe administratorin e këtij objekti që po ndërtohet në kushtet e shkeljes së lejes së ndërtimit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë referuan materiale në Prokurori për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe nisën procedimin penal për shtetasit F. H., 53 vjeç, dhe E. A., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi në cilësinë e investitorit dhe administratorit të një subjekti ndërtues, këta shtetas u konstatuan në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit, në lagjen “10 Korriku”, rruga “Ibrahim Avdullai”, Vlorë”, njoftoi sot policia.
Leja për këtë pallat me 8 kate ishte dhënë në korrik të 2021, ndërsa aktualisht punimet ishin në katin e dytë. Zhvillues është kompania ‘Armeer Konstruksion’ dhe Fatmir Halla, ndërsa punimet po i zbatonte firma “Stroytech”. Por sipas disa mediave, një ndër zhvilluesit e pallatit, është në pronësi të Erjon Ahmataj, i cili ka qenë Drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Vlorë.
Pas sekuestrimit të pallatit dje, drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici tha se objekti në fjalë do t’i kalojë shtetit për t’u përdorur në funksion të interesit publik. Po ashtu, sipas saj, drejtoresha e IKMT gjithashtu nënvizoi se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe objekte të tjera, të ndërtuara në shkelje të ligjit në mbarë territorin e vendit./ZËRI
