Aktualitet

“Ba, po nisem për shtëpi!”/ Rrëmbimi dhe vrasja e Renis Dobrës, i ati: Nipi u përball me autorët, 'jemi Policia' i thanë

Zbulohet telefonata e fundit me djalin.

k.m.
“Ba, po nisem për shtëpi!”/ Rrëmbimi dhe vrasja e
Renis Dobra

BURREL- Rifat Dobra babai i 22-vjeçarit, Renis Dobra, i cili u gjet pa jetë në buzë të liqenit të Shkopetit ka rrëfyer telefonatën e fundit me djalin e tij, ku i biri po e lajmëronte se po kthehej në shtëpi. Në një prononcim për emisionin “Uniko”, babai i të ndjerit zbuloi se teksa priste kthimin e të birit, mbrëmjen kur ndodhi vrasja, e kishte marrë nipi në telefon dhe e kishte njoftuar se të riun e kishte prangosur Policia. Kështu, ai u nis drejt Komisariatit për të zbuluar më shumë detaje, por në fakt nuk gjeti asgjë. 

Rrëfimi i plotë:

Renisi është djalë i vetëm, kam edhe 3 goca. Më mori në telefon në orën 21:40 nga Burreli më tha ‘babi, po nisem për shtëpi’. Mirë, i thashë hajde. Më tha ‘A të ndalem tek halla?”, i thashë që ‘Jo, nuk janë aty sonte, janë në një darkë’. E ka hallën këtu afër. Erdhi ora 22:04 më mori nipi në telefon e më tha ‘Dajë ku je?’, i thashë ‘në shtëpi’. M’u drejtua; ‘Shpejt hajde sipër se ka kapur Renin Policia’. Shkova, i dola nipit para dhe ikëm në Polici. Nipi më tha që; ‘dajë u ndala, kam pasur nusen dhe 3 fëmijët në makinë, bëra të ndalem, por më thanë ik shpejt se jemi Policia’. Nipi është trembur, se kishte menduar Policia. Në atë moment më mori dhe më tha që Policia ka kapur Renin.

S’ka pasur probleme. Shkuam direkt për të pyetur se pse e ka kapur policia, rreth orës 22:15 min, shkova tek roja i thashë a është djali im këtu. “Jo, çfarë çuni ka këtu”, i thashë di që më ka kapur policia në Zenisht. Më tha që s’ka ardhur makina jote këtu dhe merr 129 në telefon. Aty më nisën dyshimet se e ka marrë mafia, erdhi policia dhe hapën kamerat. Deri në 4 të mëngjesit kemi qëndruar aty, të gjithë, asnjë lloj orientimi. Pasi hapën kamerat na thanë ka kaluar para degës së Komisariatit rreth orës 22:11. Unë kam mbërritur 4-5 minuta pas autorëve.

Policia na thanë kemi kërkuar, por se dimë. Pastaj dolëm vetë. Kemi qenë 2-3 makina kemi kërkuar, gjithë rrugës ec-ndalo me elektrik, shiko ndonjë ferrë a ndonjë shkëmb, pak pa rënë tek kthesa e Ulzës me drita të makinës pashë shapkën e çunit. Mora policinë dhe e njoftova, i thashë ejani se kemi gjetur shapkën e çunit. Erdhi ekspertiza, qëndruam aty, ne vazhduam prapë, policia qëndroi aty. Më pas erdhi dhe policia tek lokali që është matanë urës së Ulzës, rrugës që shkon për Milot. Policia ndaloi duke verifikuar kamerat tek lokali, ne u nisëm prap në këmbë buzë rrugës, duke parë shkëmbinjtë. E dërguam nipin të na marrë cigare sepse po na ikte truri. Duke u kthyer nga Shkopeti kishte parë vaj në liqen, erdhi nipi tha; ‘dajë kam parë tek liqeni vaj’, makina nuk dukej. Shkuam tek vendi, pashë copat e makinës sime, zbriti një shok i imi dhe nipi, ata e kishin parë çunin, e kishte mbajtur një… Renisi s’ka probleme, si çunat e rinj ndonjë gjë të vogël, por jo deri në këtë pikë. Kërkoj drejtësi, të gjendet autorët. Prova, fakte, ka sa të duan, mund ta zbardhin patjetër. Ka shumë kamera, edhe shoferin mund ta identifikojë, ka hyrë në qytetin e Burrelit, para komisariatit, pa pikë problemi. Të dalë e vërteta. Djali më tregonte çdo gjë, ishim si shokë.

Aktualisht, dyshohet se 22-vjeçari është dhunuar dhe goditur me qytën e armës përpara se të mbytej me litar nga autorët. Pasi i riu është vrarë, mjeti i tij është hedhur në liqenin e Shkopetit bashkë me kufomën brenda. Por në rrethana ende të paqarta trupi i viktimës ka dalë nga makina pak metra para se mjeti të përfundonte në ujë. Një kamera sigurie ka fiksuar momentin e ndjekjes së Renis Dobrës nga autorët, që dyshohet të kenë qenë më shumë se 3, por deri më tani, asnjë prej tyre nuk është identifikuar. Po ashtu, mister mbetet edhe motivi i vrasjes të së riut./ZËRI

Poll

MOS HUMB