TIRANË- Sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po dëshmon i penduari i drejtësisë, Skerdi Tasi. Në kuadër të gjyqit për dosjen "Plumbi i Artë”, i penduari i drejtësisë Skërdi Tasi ka treguar sesi është njohur me Henrik Hoxhajn, bashkëpunëtorin e ngushtë të Nuredin Dumanit. Sipas tij, takimi është bërë nëpërmjet një miku të përbashkët.
“Për herë të parë jemi takuar në 2017. Shoku Viron Tavanxhi me takoi me Henrikun për të bërë ekzekutimin e një personi në Fier."
Po ashtu, zbuloi sesi kishte marrë "porosinë" për vrasjen e Hajredin Beharit, por atentati nuk u krye pasi objektivi i pikasi dhe u shtri në tokë. Sipas tij, vrasja e Beharit ishte kërkuar nga Renato Çami.
“Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami. Këtë ma konfirmoi Henriku. Ai fliste me të me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos. Unë prezent në takimet e Henrikut me Renaton nuk kam qenë. Për tentativën ndaj Aredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut. Një lokal i vogël në anë të rrugës. Unë qëllova nga jashtë lokalit. E pamë që objektivi ndodhej aty. Ishte me 3-4 vetë të tjerë. Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Unë kam pasur veshur një bluzë me kapuç dhe pantallona xhins. Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita. Pas 100 m më priste Riku (Henriku). I thashë që e godita. Shkuam tek lokali i Rikut. Pastaj kaluam nga Gjanica, hodha pistoletën në lumë. Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam. Më tha, pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar. Një prej tyre ishte porositësi i vërtetë. Riku më tha, mirë që na dha punë, që nuk e bëmë dot, por tani t’i hapim edhe probleme me policinë. Henriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot,”- tha ai.
Nga ky moment, Tase ka rrëfyer se më pas është takuar me Henrikun, me të cilin është larguar deri në vendin ku ka hedhur edhe armën e përdorur, në Gjanicë.
“Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam pasi më kritikoi pse nuk e kisha vrarë. Shenjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar, mes të cilëve ishte edhe porositësi i vërtetë. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot,”-shtoi i penduari i drejtësisë.
Skerdi Tasi zbuloi me detaje se si dështoi plani për vrasjen e Agim Boriçit.
"Për ngjarjen Henriku kishte një makinë “Alfa Romeo” të blerë në Fier. Henriku kishte dhe një armë pistoletë automatike. Ditën e ekzekutimit, Henriku më thirri dhe më tha se porositësi i kishte thënë “shumë po e zgjasni atë punë”. Dolëm dhe e gjetëm atë njeriun në një lokal. Unë mora armën dhe shkova atje. Ai personi e kuptoi që isha për të. Ai u çua në këmbë, bërtiti me të madhe dhe u shtri poshtë. Unë mendova se e qëllova. Pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit. Pistoletën e kam hedhur në Gjanicë. Porosia e Viron Tavanxhi ishte për ekzekutimin e Gim Boriçin. Unë e njihja, kisha dëgjuar për të në Fier. Unë njihesha prej vitesh me Vironin. Në 2017 ai më kontaktoi për të vrarë Agim Boriçin. U realizuan veprimet, por në vitin 2018. Ndërsa në 2017, unë takohesha përditë me Henrikun. Gjatë kësaj kohe ai më tha se kishte marrë përsipër edhe një punë tjetër, ekzekutimin e Aredin Beharit. Henriku kishte foto të tij. Ai rrinte tek një lokal përballë shtëpisë, si edhe kishte një dyqan ku shiste vajra makina.”
Përgjatë dëshmisë që ai ka dhënë sot para togave të zeza, zbuloi më shumë lidhur me marrëdhënien e Henrik Hoxhajt me Nuredin Dumanin, nga i cili kishin marrë porosi për të vrarë Bujar Çelën.
“Pas atentatit të dytë ndaj Aredin Beharit ika disa muaj në Gjermani. Me Henrikun u takova në vitin 2020, kur ky ishte vënë në kontakt dhe me Nuredin Dumanin. Henriku më tha ‘I ke parë 4 vrasjet në Durrës, kam marrë pjesë edhe unë, pse ike se do të kishte marrë ndonjë lek.’ Henriku ishte në merak se mund t’i dilte gjë për vrasjet, sidomos tek vëllezërit Haxhia pasi mund t’i dilte gjurma e gjakut që kishte lënë në makinë. Më pas mora vesh që ‘kusho’ që Henriku i referohej ishte Nuredin Dumani. Fillimisht mu ofrua të merrja pjesë në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës, morën 5 mijë euro kapar diku në një fshat të Peqinit. Na treguan makinën me të cilën lëvizte Bujar Çela, por ne nuk donim ta vrisnim, edhe kur e shikonim e anashkalonim. Nuredini e kuptoi pastaj”, tha ai.
Më gjatë mbeti në Elbasan duke zbardhur dinamikën e vrasjes së Emiliano Ramazanit. Për Ramazanin tregon se kishte kohë që e mbanin në vëzhgim dhe e ndiqnin, ndërsa makinën ua kishte dhënë Nuredin Dumani.
“E dinim makinën e Emilianos, kishim edhe foto. Nuk po e gjenim dot në Elbasan, prandaj çdo ditë shkonim atje nga Tirana, me makina me qira. Kishim si opsione shtëpinë, palestrën apo lokalin ku frekuentonte. Ditën e ngjarjes e pamë që palestra nuk ishte vend i mirë. E pritëm te shtëpia, në rrugën kryesore. Ai erdhi me një Ford Fiesta. Kur parkoi dhe fiku makinën, unë u afrova me vrap, i dola nga ana e pasagjerit dhe e qëllova disa herë në kokë dhe qafë. Ai nuk më pa, po merrej me telefon. Atentati ndodhi brenda oborrit të pallatit,”- tha Tase.
Tase rrëfeu se pas krimit makina dhe dy armë u dogjën, ndërsa armët që përdori i mori me vete dhe i fshehën pranë Peqinit, “tek ca betoniere”.
“Riku (Henrik Hoxhaj) i dërgoi foto të armëve Nuredinit në SKY. Ato do çoheshin diku tjetër për t’ia faturuar dikujt tjetër ngjarjen. Më pas na kontaktoi një vajzë me emrin Klara për paratë. Unë mora 25 mijë euro, ndërsa në rregull do ndanim 60 me Rikun,” tha Tase.
Ndërsa për vrasjen e vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia, tregoi se Hoxhaj kishte nisur që të "punonte" vete me Nuredin Dumanin. Por tek ekzekutimi i dy vëllezërve ishin gjetur në gabim.
“Kur u ktheva nga Gjermania, mësova se Riku kishte rënë në kontakt edhe me Nuredin Dumanin. Riku më tha që 4 vrasje në Durrës, vëllezërit Haxhia dhe Dorian Shkozën e tjetrin i kishte bërë ky. Më tha që kishte marrë pjesë bashkë me një person që e quante “kusho”, që më pas mësova se ishte Nuredin Dumani. Ishte pak në merak, pasi njolla e gjakut e gjetur tek vëllezërit Haxhia ishte e Rikut”, tha Skerdi Tasi.
Skerdi Tase vazhdon dëshminë e tij në GJKKO, ku ka treguar edhe për atentatin ndaj Lulzim Mashës në janar të vitit 2022. Ai zbuloi se shënjestra e vwrtetë ishte djali i biznesmenit. Për kokën e Mashës i kishin premtuar 80 mijë euro, 40 për Tasen dhe 40 për Henrik Hoxhajn. Bën me dije gjithashtu se gjatë kësaj kohe kishin marrë edhe ‘porosi’ të tjera për të vrarë Dine Çamin dhe Oti Kilen.
“Pastaj Henriku kishte një punë tjetër. Kishte në telefon foton e djalit të Lulzim Mashës. Për këtë ngjarje morëm një motor dhe një armë, djalin s’po e gjenim dhe Henriku më tha që porositësi thotë që meqë s’po e gjeni atë, vrisni babain. Ne dinim pallatin ku banonte djali i Lulzim Mashës, në ish-bllok. Kur vendosëm për babain, e lamë ta bënim rrugës kur shkonte tek shkolla private. Gjatë kësaj kohe, ne kishim porosi për të vrarë edhe Dine Çamin dhe Oti Kilen. Vendosëm që motori nuk ishte i përshtatshëm për të kryer vrasjen dhe morëm një Golf 4 nga Nuredini. Në këtë kohë shkuam në Kosovë, takuam Nuredinin dhe folëm për ngjarjen. Na dha një pistoletë tjetër. Për ndjekjen e Lulzim Mashës na ndihmonte një person që quhet Ledi, lidhje e Henrikut, e ruante tek shtëpia ai, na thoshte doli ose erdhi. Ditën e ngjarjes më la Henriku tek kthesa prita Lulzimin. Sa e pashë i gjuajta por më ngeci arma. Lulzimi i dha gaz për nga shkolla, kalova rrugën, autostradën për nga Liqeni i Thatë. Pastaj shkuam në Fier, Henriku më tha se kishte gjetur një punë tjetër për të vrarë një shokun e “Ben Qimes”. Për të vrarë Lulzim Mashën na ishte premtuar 80 mijë euro, 40 mijë unë dhe 40 mijë Henriku,”- ka deklaruar Tase.
Ai gjithashtu tregoi se kishin marrë porosi për të vrarë Elton Kilën, i njohur si Oti Kile.
“Henriku pastaj më tha për të vrarë Oti Kilën. Oti shiste makina, unë nuk e njihja personalisht por Henriku ma tregoi me foto. Gjatë vitit 2021 e kemi ndjekur disa herë Otin, nuk e kapëm dot dhe nuk mbanim armë me vete. Vrasjen do e bënim kundrejt pagesës 60 mijë euro, lekët do na i jepte Nuredin Dumani. Ne i ruanim të tre, Lulzim Mashën, Oti Kilën dhe Dine Çamin. Shpesh herë kemi shkuar edhe për Dine Çamin në Elbasan, ai kishte një magazinë afër shtëpisë së Talos. E kemi ruajtur për t’i bërë atentat me snajper, gjatë 2021,”- ka rrëfyer Tase.
Dosja “Plumbi i Artë” mbetet një nga proceset më të bujshme në luftën kundër krimit të organizuar, pasi përfshin emra të njohur të botës së krimit dhe rrëfime tronditëse të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë ndihmuar në zbardhjen e një sërë veprash të rënda penale./ZËRI