Aktualitet

"Ruani qetësinë!" Reagon Thaçi pas dënimit në Hagë: Mohoj çdo përfshirje në vrasje, do ta apeloj vendimin

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social X nga avokati kryesor i Thaçit behet e ditur se ish-presidenti i Kosovës do ta apelojë vendimin pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

M.K.
"Ruani qetësinë!" Reagon Thaçi pas dënimit
hashim thaci

HAGË- Një ditë pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka ardhur reagimi i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social X nga avokati kryesor i Thaçit behet e ditur se ish-presidenti i Kosovës do ta apelojë vendimin pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Mbrojtja kundërshton përfundimet e trupit gjykues dhe pretendon se vendimi përmban gabime të rëndësishme në vlerësimin e fakteve dhe në zbatimin e ligjit. Këto elemente kanë ndikuar në drejtësinë e procesit gjyqësor.

Në reagim ngrihen gjithashtu pretendime për mënyrën e zhvillimit të procesit veçanërisht lidhur me pyetjet e drejtpërdrejta të bëra nga anëtarët e Panelit të Gjykimit. Mbrojtja argumenton se ndërhyrjet e gjyqtarëve kanë tejkaluar atë që ajo e konsideron kërkim neutral të së vërtetës.

Avokatët e Thaçit kundërshtojnë edhe bazën provuese të disa prej gjetjeve të trupit gjykues, duke pretenduar se konkluzionet për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm jan mbshtetur në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.

Një prej pikave të ngritura nga mbrojtja lidhet me përfundimin e Panelit të Gjykimit për përfshirjen e Thaçit në vrasjen e Behajdin Allaqit. Provat që lidhen me këtë çështje kanë qenë konfidenciale dhe nuk janë bërë objekt i shqyrtimit publik gjatë procesit.

Thaçi përmes mbrojtjes së tij mohon çdo përfshirje në vrasje dhe thotë se do të kërkojë rishikimin e vendimit në shkallën e apelit.

Në të njëjtin reagim ai shpreh mirënjohje për mbështetjen e marrë nga populli i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të mbeten paqësore.

Reagimi i plotë

Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar, dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të mbeten paqësorë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme.
Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë Aktgjykimin e djeshëm të Shkallës së Parë pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se ka pasur gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.
Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të parashtruara drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja qëndron në qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon edhe Aktgjykimin e Panelit të Gjykimit.
Mbrojtja argumenton se gjetjet e Panelit të Gjykimit për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, dje Paneli i Gjykimit deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos diskutonin publikisht rastin e z. Allaqit në seancat gjyqësore dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale.
Kësisoj, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht fajtor z. Thaçi për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është mbështetur ky përfundim janë mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.
Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Panelit të Gjykimit për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës. Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje.
Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale. Mbrojtja do ta dorëzojë zyrtarisht Njoftimin e Apelit për të korrigjuar këto gabime faktike, ligjore dhe procedurale pranë Panelit të Apelit

Trupi Gjykues ka vendosur që Hashim Thaçi të dënohet me 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim. Në dënimet e shqiptuara është llogaritur edhe koha që katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar në paraburgim.

Për Hashim Thaçin, gjyqatari Charles Smith tha se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB