VLORË-Teksa hetimet vijojnë për përplasjen me armë mes palëve të dy biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muçës, detaje të reja janë zbardhur rreth mjetit tip 'Range Rover' i cili u aksidentua teksa 15 personat e përfshirë në konflikt po ndiqnin njëri-tjerin. Makina tip ‘Range Rover’ me targa “AM001AM” rezulton e OTP Bank, por është blerë me kredi nga vajza e Luan Muçës së 'Delta Group', Ambra Muça.
ZËRI më herë raportoi se në mjet ndodheshin tre persona, mes tyre dhëndri i familjes Muça, konkretisht i Luan Muçës. Dhëndri mësohet se ka pësuar thyerje të shtyllës kurrizore. Në mjet gjatë kontrolleve u gjet edhe një armë zjarri pistoletë.
ZËRI bëri me dije se një ndërtim i 'Delta Group' në Palasë është bërë shkak i konfliktit me Vasil Bedinajn. Konkretisht që të vijojë procesi i ndërtimeve Luan Muçës i duhet toka e Vasil Bedinajt sepse nuk ka dalje në rrugë.
Çfarë ndodhi në hotel Regina
ZËRI raportoi se mesditën e sotme se dhjetra persona të armatosur kërcënuan Vasil Bedinajn. Konkretisht punonjës të 'Swat security' shkuan të armatosur në ambjentet e hotelit Regina dhe u përballën me njerëzit e Bedinajt. Mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes.
Përplasja nuk u mbyll aty, por gjatë largimit me makina nga ambjentet e hotelit të Bedinajt, burime për ZËRI bënë me dije se personat e përfshirë në konflikt kanë ndjekur njëri-tjetrin. Veç aksidentit të 'Range Rover' gjatë ndjekjes së njëri-tjetrit grupi i Bedinajt ka qëlluar me armë në ajër, ndërsa raportohet se gjatë kontrolleve të një makine në Fier janë konstatuar dy plumba brenda mjetit.
