Aktualitet

“Rama jam, më dërgo 60 mijë euro'! Video-call me kryeministrin, si u mashtrua biznesmeni nga Inteligjenca Artificiale

 Kur është përgjigjur, në ekran i është shfaqur kryeministri Edi Rama, me syzet karakteristike të kuqe që ai përdor shpesh në daljet publike.

F.I
“Rama jam, më dërgo 60 mijë euro'! Video-call me
Edi Rama

TIRANË-Një histori mashtrimi është sjellë sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë me metodë më të sofistikuar ku mesazhet nuk kanë mjaftuar. Bëhej fjalë për 60 mijë euro, shumë që mashtruesit synonin të përfitonin përmes presionit dhe manipulimit, nga një drejtor i një ndërmarrjeje të madhe shtetërore. Shifra u kërkua nga babë e bir, Kledis dhe Kujtim Muzhaqi, të cilët u hoqën si kryeministri Edi Rama.

Gjithçka nisi me një mesazh të pazakontë që mbërriti në aplikacionin e enkriptuar SIGNAL, në telefonin e një drejtori të një ndërmarrjeje të madhe shtetërore.

“Si jemi me objektivat?”, shkruhej në mesazhin që vinte nga një numër i panjohur.

Drejtori e ka hapur mesazhin, ndërsa vetëm pak çaste më vonë ka marrë një VIDEO CALL. Kur është përgjigjur, në ekran i është shfaqur kryeministri Edi Rama, me syzet karakteristike të kuqe që ai përdor shpesh në daljet publike. Pas mbylljes së telefonatës ka mbërritur një tjetër mesazh:

“Rama jam, më dërgo 60 euro në Elbasan. Komuniko me këtë numër”.

Drejtori ka njoftuar Policinë e shtetit ku sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës organizoi menjëherë një operacion të mirëfilltë, duke inskenuar takimin në Elbasan sikur shuma do të dorëzohej. Pikërisht gjatë këtij operacioni ranë në pranga Kledis dhe Kujtim Muzhaqi.

Policia dyshon se imazhi i Edi Ramës në video-call është krijuar me Inteligjencë Artificiale, një metodë e re që po përdoret nga grupet kriminale për të manipuluar dhe zhvatur zyrtarë apo biznesmenë.

20-vjeçari Kledis Muzhaqi u la në masën “arrest shtëpie”, ndërsa babai i tij, Kujtim Muzhaqi, në masën “arrest me burg”. Burime pranë hetimit për Infonews, bëjnë me dije se hetuesit janë të bindur se babë e bir nuk kanë vepruar të vetëm. Dyshohet se pas kësaj skeme mashtrimi qëndrojnë edhe emra të njohur për episodet e mashtrimeve në Shqipëri.

Rasti ka ngritur alarmin për përdorimin e teknologjisë AI në mashtrime gjithnjë e më të sofistikuara, ku një video telefonatë disa sekondëshe mund të përdoret për të bindur viktimat se po komunikojnë me figura të njohura shtetërore. Rasti ku emrat zyrtarë përdoren për të zhvatur shuma parash është i njohur nga grupi i Florian Gjergjit. 

ZËRI ka raportuar më herët rastet e shumta nën emrin e ish-Ministrit të Brendshëm Taulant Balla apo të kryebashkiakut Erion Veliaj. Prej fillimit të viti 2023 Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës. Gjergji përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.

Poll

MOS HUMB