Aktualitet

Qytetarët e Patos sërish në protestë kundër shkrirjes me Fierin! Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë bojkotjnë punën

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Larg duart nga Patosi”, protestuesit kanë kundërshtuar propozimin, duke deklaruar se prek identitetin e qytetit të njohur për industrinë e naftës.

zh.ll
Qytetarët e Patos sërish në protestë kundër shkrirjes
protesta ne patos dhe rrogozhine

PATOS- Dhjetëra qytetarë të Patosit kanë protestuar paraditen e sotme kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Larg duart nga Patosi”, protestuesit kanë kundërshtuar propozimin, duke deklaruar se prek identitetin e qytetit të njohur për industrinë e naftës.

Protesta u zhvillua përpara godinës së Bashkisë Patos, ku morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Ata shprehën mbështetje edhe për qëndrimin e kryebashkiakut Fation Duro, i cili është shprehur kundër kësaj reforme.

Një ditë më parë, kryebashkiaku Fation Duro kundërshtoi këtë propozim, duke theksuar se Patosi nuk është një bashki me performancë të dobët. Përmes një reagimi publik, Duro argumentoi se raporti përfundimtar i Komisionit nuk e paraqet Patosin si një bashki që nuk arrin të kryejë funksionet e saj, por, përkundrazi, e rendit atë ndër bashkitë me performancën më të mirë në vend, madje edhe përpara Bashkisë Fier. Sipas raportit, kryebashkiaku i Patosit shprehet se bashkia renditet e 10-ta ndër 61 bashkitë e vendit në Indeksin e Funksionalitetit të Bashkive (IFB), me 71.7 pikë.

Rrogozhina është bërë një tjetër bashki që kundërshton propozimin për reformën e re territoriale të Partisë Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e saj dhe bashkimin me Bashkinë Kavajë.

Në shenjë proteste ndaj këtij drafti, punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar punën ditën e sotme, duke lënë zyrat rreth orës 09:00 si formë kundërshtimi.

Punonjësit kanë shprehur pakënaqësi ndaj propozimit të bërë nga Partia Socialiste. Ata shprehen se ky ndryshim rrezikon të cenojë identitetin e qytetit dhe kërkojnë që Rrogozhina të vijojë të jetë bashki më vete. 

Reforma e re territoriale ka nxitur protesta dhe kundërshtime nga disa bashki kanë nisur që pas publikimit të draftit.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI

Poll

MOS HUMB